Vazhdojnë shqetësimet për shëndetin e kancelares Merkel (VIDEO)

Vazhdojnë shqetësimet për shëndetin e kancelares Merkel (VIDEO)

Shqetësimet për shëndetin e kancelares gjermane, Angela Merkel, janë rritur sot, pasi ajo kishte nevojë për një karrige dhe nuk mund të qëndronte gjatë në një ceremoni publike në Berlin, raporton AA.

Merkel priti kryeministren daneze, Mette Frederiksen, me nderime të larta ushtarake në kancelari, por ajo u detyrua të ulet në një karrige derisa u intonuan himnet kombëtare. Frederiksen po ashtu u ul pranë saj në ceremoni.

Dje, gjatë një ceremonie të pritjes së kryeministrit finlandez, Antti Rinne, Merkel u pa që po dridhej për disa minuta, pasi dy udhëheqësit po qëndronin për të dëgjuar himnet kombëtare.

Megjithatë ajo minimizoi shqetësimet në lidhje me shëndetin e saj, duke thënë se, “Unë jam vërtet mirë. Nuk keni nevojë të shqetësoheni për shëndetin tim”. Kjo ishte hera e tretë e dridhjes së saj në më pak se një muaj duke shkaktuar frikë dhe spekulime për shëndetin e kancelares Merkel.

Kancelarja gjermane pësoi një periudhë të ngjashme të dridhjeve më 18 qershor, kur ajo priti në Berlin presidentin ukrainas, Volodimir Zelensky.

Më 27 qershor, ajo u pa të dridhej për herë të dytë gjatë një ceremonie betimi në Presidencë.