Vendet fqinje: Kosova, Shqipëria, Greqia, Bullgaria dhe Serbia, i kanë hapur kufijtë për shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, ka sqaruar se është hapur vendkalimi kufitar Hani i Elezit, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën, por edhe vendkalimet kufitare me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
“Hapen pikat kufitare tokësore si Han të Elezit, Merdarë, Vërmicë, Kullë, Jarinë dhe Dheu i Bardhë. Këto masa do të vlejnë njësoj për të gjithë qytetarët e një nga këto është se të gjithë personat që hyjnë në territorin e RKS-së obligohen t’u nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMK-ve në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër Kovid-19. Të gjithë personat që hyjnë në Kosovë dhe posedojnë test negative të Kovid-19 realizuar me metodën pi-si-ar jo më të vjetër se katër ditë, nuk i nënshtrohen procedurave të vetizolimit, kurse ata që nuk e kanë testin detyrohen të vetizolohen për 7 ditë.”,- deklaroi mistri i shëndetësisë, Arben Vitia.
Kërkohet test negativ për virusin Korona
Por, për të hyrë në Kosovë duhet të posedoni rezultate negative për testin e koronavirusit – jo më të vjetra se katër ditë. Ata që nuk posedojnë testin, detyrohen të vetizolohen për shtatë ditë.
Edhe Greqia i ka hapur kufijtë për shtetasit e 28 vendeve që i plotësojnë kushtet për uljen e numrit të personave të infektuar me virusin Korona.
Edhe Serbia i ka hapur kufijtë për qytetarët e shteteve të rajonit. Sllovenia lejon hyrjen e turistëve, me gjithë rrezikun për bartjen e virusit nga jashtë.
“I hapëm kufijtë për turistët që kanë rezervime.”,- theksoi zëdhënësi i qeverisë së Sllovenisë, Jelko Kacin.
“Hapja e kufijve paraqet rrezik për bartjen e virusit prej jashtë shtetit.”,- u shpreh zyrtarja e Ministrisë sllovene të Shëndetësisë, Bojana Beoviq.
Mali i Zi tanimë ka shpallur fitoren ndaj virusit Korona, pasi janë shëruar të gjithë të prekurit, ndërsa lejon hyrjen në territorin e saj nga Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Çekia, Bullgaria, Shqipëria dhe Greqia, derisa Bosnjë-Hercegovina lejon hyrjen e afaristëve që kanë rezultuar negative në testin për Kovid-19. Por, derisa vendet e rajonit kanë hapur kufijtë, një gjë e tillë ende nuk është bërë nga autoritetet e vendit. Kryeministri, Oliver Spasovski, ka bërë të ditur se janë në kontakt me vendet e rajonit rreth kësaj çështje dhe se i është kërkuar Komisionit për Sëmundje Infektive të përgatisë protokollin që duhet aplikuar në vendkalimet kufitare.