Mosfillimi i negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut vonon përdorimin e vërtetë të brendshëm të emrit të përbërë, deklaroi ish-lideri i Lëvizjes Socialiste Mbarëgreke (PASOK), Evangelos Venizelos, i cili në të kaluarën ka qenë zëvendëskryeministër, ministër në disa qeveri, por edhe shef i diplomacisë greke, duke i analizuar pasojat në Greqi pas vetos në BE për fillimin e negociatave me vendin.
“Refuzimi i Këshillit Evropian për fillimin e negociatave inkuadruese, mendoj se ndikon negativisht për Greqinë lidhur me ekuilibrin e Marrëveshjes së Prespës. Në nenin 1 paragrafi 10 të Marrëveshjes është paraparë se periudha kalimtare politike për përdorimin e emrit të përbërë në dokumentet që lëshohen në brendësi të palës së dakordësuar varet nga hapja e kapitujve në negociatat inkuadruese. Sipas kësaj, mosfillimi i negociatave inkuadruese vonon përdorimin e vërtetë të brendshëm të emrit të përbërë, gjegjësisht vonimin lidhur me përdorimin “erga omnes” të emrit”, sqaron Venezilos.
Siç lajmëroi korrespondentja e MEDIAL-s nga Athina, ish-kryetari i PASOK-ut komenton se rezultati nga samiti i BE-së është problematik, duke vlerësuar se interesat e brendshme politike e kanë përcaktuar pozicionin e Francës.
“Greqisë i intereson stabiliteti i brendshëm në të dyja vendet fqinje, por edhe i të gjithë Ballkanit Perëndimor, si dhe kredibiliteti politik i BE-së në rajon që të mund të kryhet presion efektiv përmes kontrolleve që dalin nga hapja e kapitujve të negociatave paraonkuadruese. Ky është një proces i cili është gradual dhe i gjatë. Nga ky aspekt, zgjidhja e fundit e Këshillit Evropian është shumë problematik”, thekson Venizelos.