Vërshimet në Mamushë, Matoshi premton mbështetje

Vërshimet në Mamushë, Matoshi premton mbështetje

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ministri Fatmir Matoshi është takuar me kryetarin e Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç, me të cilin ka diskutuar për investime në dy projekte që kanë të bëjnë me pastrimin dhe rregullimin e lumenjve “Tërnja” dhe “Toplluha”.

Me këtë rast ministri Matoshi, shprehu gatishmërinë e MMPH-së për të ndihmuar komunat e Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe komunën e Mamushës në pastrimin dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve.

“Nga kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç, sot kam pranuar projekte që kanë të bëjnë me pastrimin dhe rregullimin e dy lumenjve që kalojnë nëpër territorin e kësaj komune. Mamusha është një nga komunat që rrezikohet nga vërshimet dhe i premtova kryetarit se gjatë hartimit të buxhetit për vitin që vjen, këto kërkesa do të kenë mbështetjen e MMPH-së”, tha ministri Matoshi.

Ndërsa kryetari i komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç e vlerësoi të domosdoshme investimin në pastrimin dhe rregullimin e dy lumenjve për shkak se sipas tij vërshimet po sjellin dëme të mëdha tek bujqit.

“Komuna e Mamushës, konsiderohet si komuna më e madhe bujqësore në vend. Vërshimet nga këta lumenj po pengojnë dhe dëmtojnë produktet bujqësore në vend andaj investimi nga MMPH-ja do të ishte në të mirë të tyre dhe banorëve të komunës”, tha Krasniç.

TAGS