Vetëvendosje nuk e do Nismën e as AKR-në në Qeveri

Vetëvendosje nuk e do Nismën e as AKR-në në Qeveri

Kalimi i pragut zgjedhor i koalicionit Nisma-AKR-PD, ka prodhuar situatë të re në përbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Por sa i përket përbërjes së qeverisë si duket nuk do të ketë ndonjë ndryshim, pasi që nga Vetëvendosje po thonë se kanë vendosur që të mos bashkëpunojnë me asnjë parti  që kanë qenë pjesë e PAN-it.

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thotë për EkonomiaOnline, se qeveria e ardhshme do të përbëhet nga VV-së dhe LDK-ja, përfshirë eventualisht edhe pakicat joserbe.

“Qëndrimi jonë ka qenë që qeverisja e ardhshme, gjegjësisht qeverisja Kurti të funksionojë duke bashkëqeverisur opozita e deridjeshme. Pra ekziston një disponim i përgjithshëm në Vetëvendosje që të gjitha subjektet që kanë qenë pjesë e PAN-it të mos jenë pjesë e qeverisë Kurti. Megjithatë ne presim certifikimin e rezultateve dhe besojmë që do të arrijmë të kemi një qeverisje stabile mes VV-së dhe LDK-së, përfshirë eventualisht edhe pakicat joserbe”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, sa i përket postit të Presidentit, Nagavci thotë se nuk është biseduar ende për këtë gjë, ku temë diskutimi kanë qenë vetëm pozitat e lira dhe se për postin e presidentit do të bisedohet në të ardhmen.

“Tani jemi në një situatë të re, ne po flasim në radhë të parë për të përmbushur pozitat e cilat janë të lira, pra dihet që kryeministri do të jetë Albin Kurti, është një mandat që e ka marrë nga qytetarët dhe që do të votohet formalisht në Kuvend, do të diskutohet për pozitat që janë vakante apo të lira, ministrat e kështu më radhë, ndërsa për pozitat tjera do të ketë diskutime varësisht prej interesit”, ka thënë ajo

Në takimet mes partive nuk është diskutuar as për ndarjen e dikastereve, thotë Nagavci. Kjo gjë, do të ndodh sipas saj pas certifikimit të rezultateve.

 “Pas certifikimit të rezultateve, pra kur të dihet përfundimisht sa do të jetë numri i deputeteve të dy subjekteve dhe cilët do të jenë ata, do të finalizohet edhe aspekti politik, gjegjësisht se kush do të jetë përgjegjës për resorët e caktuar, dhe besoj se do të finalizohen temat të cilat mund të hapen nga cila do subjekt”, ka thënë ajo.