Vetëvendosje, peticion për zgjedhje të reja

Vetëvendosje, peticion për zgjedhje të reja

Lëvizja “Vetëvendosje” duket se nuk e kapërcen dot vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila e quajti të ligjshëm dekretin e presidentit Thaçi për t’i dhënë mandatin Avdullah Hotit nga radhët e LDK për krijimin e qeverisë së re, duke shmangur në këtë mënyrë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Drejtuesit e këtij subjekti politik bënë me dije sot se do të nisin organizimin e mbledhjeve të firmave të qytetarëve në kuadër të një peticioni për organizimin e zgjedhjeve të reja në Kosovë.

“Zgjedhjet janë zgjidhje e krizës politike, zgjedhjet janë paqësore dhe demokratike. Ato janë e vetmja rrugë për të dalë nga ngërçi. Peticioni do të jetë i stërmadh”, deklaroi sekretarja e Vetëvendosje, Vlora Haxhimurati.

Më herët kreu i LDK, Isa Mustafa bëri me dije se anëtarët e koalicionit të ri qeverisë janë në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të thirrur seancën për krijimin e qeverisë së re, e cila me shumë mundësi do të mbahet në fillim të javës së ardhshme.