Vetëvendosje: Veseli të jap dorëheqje për t’i hapur rrugë hetimeve

Vetëvendosje: Veseli të jap dorëheqje për t’i hapur rrugë hetimeve

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas deklaratave të Kadri Veselit i cili sot gjatë një konference për media tha se nëse vërtetohet se është i përfshirë në krimin për fajde do të japë dorëheqje.

Vetëvendosje përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook ka kërkuar nga kryetari Veseli që të jap dorëheqje për t’i hapur rrugë hetimeve.

Sipas VV-së gjithë Kosova e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg.

Lexo po ashtu:

Reagimi i plotë i Vetëvendosjes

Dorëheqje për t’i hapur rrugë hetimeve

Në videon që doli në media, në emër të Kadri Veselit kërkohet para e paligjshme, si haraç a si fajde, nga anëtarë organizatash kriminale. E reagimi i kryetarit të Kuvendit ishte, për të thënë të paktën, frikacak: ai tha se po të vërtetohet se është pjesë e këtij rasti kriminal do të japë dorëheqje.

Gjithë Kosova e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’i hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes.
Vetë Kadri Veseli ka luajtur rolin e naivit dhe ka shtruar pyetjen se pse drejtësia e paska patur për gjashtë vite këtë video dhe nuk e ka hetuar. Dhe pastaj, ka kërkuar vetting në drejtësi. Pra në vend se të flasë për përgjegjësinë e tij në skandalin që po dëmton imazhin e shtetit dhe republikës së Kosovës ku ai është kryeparlamentar, Veseli e gjuan përgjegjësinë tjetërkah, te sistemi i drejtësisë.

Pse nuk ka hetuar asnjë prokuror më përpara mbi këtë video? Sepse prokurorët e sistemi i drejtësisë i tuten Kadri Veselit. Sepse ky dhe njerëzit e tij, siç dihet nga rasti “pronto”, e kanë vendosur në krye të prokurorisë një njeri që u bindet. Prandaj mjaft me hipokrizi, ku Veseli e shërbëtorët e tij të cilëve po u del kriminaliteti në shesh, bëjnë thirrje për drejtësi e vetting.

Para disa ditësh e patëm shembullin e Austrisë, ku pas publikimit të një videoje, menjëherë dha dorëheqje personi i përfshirë, e njëkohësisht u shpallën zgjedhjet e reja. Ky është momenti që Kosova të tregojë se dëshiron të ndjekë modelin perëndimor dhe jo atë rus. Kadri Veseli duhet të largohet nga çdo pozitë e pushtet, për t’i hapur udhë hetimeve, sa më shpejt dhe pa bërë rezistencë. Çdo këmbëngulje e tij për të vazhduar të qëndrojë në pushtet është pengesë e drejtësisë dhe e demokracisë, dhe mbrojtje e krimit të bërë.

Ndryshe përmes një konference për media, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se nuk i njeh personat personat e videos. Ai ka thënë se është i gatshëm të jap dorëheqje nëse del që është i përfshirë në këtë rast./Telegrafi/

/Telegrafi/

TAGS