Alsat 2019-11-18T20:43:34+01:00
Vetingu si metodë tashmë është i pranueshëm nga institucionet e Bashkimit Evropian për të siguruar gjyqësor dhe prokurori me njerëz profesionistë. Sipas eurokomisioneres për drejtësi, Vera Jurova, pjesëmarrëse në samitin e ministrave të Drejtësisë në Shkup, Maqedonia e Veriut mund të ndjekë shembullin e Shqipërisë.
Ne duam të shohim se sektori i drejtësisë është plot me profesionistë dhe persona me besueshmëri, për integritetin moral të të cilëve nuk ka dyshime dhe nuk vihet në pyetje profesionalizmi i tyre. Procesi i vetingut është një nga proceset që do të përdoret për ta garantuar këtë. Ne e dëgjuam ministrin e Shqipërisë për mbarëvajtjen e procesit atje. Nuk është një punë e lehtë. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka filluar por jam e sigurt se vendi do të shfrytëzojë mënyrën e tij se si ta garantojë reputacion të lartë të sektorit të drejtësisë”-tha Vera Jurova, eurokomisionere.
Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska para samitit deklaroi se besimin në gjyqësor duhet ta sigurojnë gjykatësit. Sa i takon ligjit të Prokurorisë Publike, Deskoska shtoi se është më mirë të mos miratohet aspak, se sa të miratohet një ligj jocilësor.
Ligjin për Prokurori Publike nuk duhet ta shohim vetëm si detyrim që duhet të përmbushim, por ky detyrim të përmbushet me cilësi. Nëse nuk kemi pajtueshmëri për ligj cilësor më mirë mos të sillet ligj se sa të miratohet vetëm sa për të qenë i tillë. Është detyrim i gjykatësve që ta kthejnë besimin. Pushteti ekzekutiv as nuk i mori dhe as nuk mund t’ia kthejë besimin”-theksoi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.
Ministrja e Drejtësisë e Finlandës Ana Maja Herinkson, deklaroi se presidenca finlandeze ka marrë për detyrim nxitjen e reformave të drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Sistemi efektiv i drejtësisë dhe qasja efektive në drejtësi janë elementet më të rëndësishme të sistemit gjyqësor. Me angazhimin për të luftuar korrupsionin, ministrat ishin të mendimit se edhe kjo lidhet me principet e sundimit të së drejtës, përpjekjet për të përforcuar demokracinë, për institucione të hapura dhe demokratike”-theksoi Ana Maja Henrikson, ministre e Drejtësisë e Finlandës.
Në forumin e ministrave nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të martën do bisedohet edhe për reformat në siguri, luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit si dhe luftën kundër krimit të organizuar. Përfaqësuesit e institucioneve të BE-së në samit njoftuan se sapo kanë marrë non-paperin e Francës për procesin e anëtarësimit dhe do ta diskutojnë atë me vendet anëtare të BE-së.
Fatlume Dervishi
Loading…