Me vetëm 7 vite burg u dënua Bajram Limani, vrasësi i Komandant Shqiponjës, pasi gjykata vlerësoi se vrasja ka qenë vrasje çasti. Ndërsa Amir Latifi i cili plagosi dy shokët e “Shqiponjës” Gani Demirin dhe Shefki Rexhepin u dënua me vetëm 3 muaj burg, pasi edhe për të gjykata vlerësoi se ka plagosur vetëm njërin prej shokëve të Shqiponjës, raporton SHENJA.
Familjarët të shokuar nga ky vendim mezi pranuan të flasin pasi sipas tyre, sot Shqiponja u vra për të dytën herë.
“Vendimi i sotëm ‘Shqiponjën’ e vrau për së dyti. Ne e kemi pritur që gjykata është e partizuar dhe do ta marrë një vendim, do ta ulë dënimin. Gjithçka që kemi folur deri sot dhe kemi pasur dyshime, sot u vërtetuan. Çfarë mund të pritet nga një prokuror, nga aktivist partiak shndërrohet në prokuror dhe të sjellë një vendim të drejtë”, deklaroi Lulzim Aliti, familjar i “Komandant Shqiponjës”.
Ndërsa kujtojmë që Xhemail Rexhepi u vra në pasditen e 23 korrikut të 2015-tës nga plumbat që i shkrepi Bajram Limani njëkohsisht edhe miku i liderit të BDI-së, në lokalin ku ishin grumbulluar të bisedonin lidhur me koordinimet brendapartiake. Edhe pse i përzgjedhur nga strukturat partiake për kryetar të degës së Kumanovës ishte Xhemail Rexhepi, Ali Ahmeti, për të ushtruar këtë detyrë e emëroi Bajram Limanin, i cili jo vetëm që nuk ishte banor i Kumanovës por as edhe i Maqedonisë, pasi ai jetonte në Fushë Kosovë.
Lulzim Aliti në mes zhgënjimit dhe pikëllimit tha se ata nuk do të ndalen këtu, por drejtësinë do ta vazhdojnë ta kërkojnë edhe në Gjykatën e Apelit edhe pse nga ajo që ndodhi sot nuk besojnë se vrasësi i Xhemailit do të marrë vendim të merituar.
Avokati i kësaj familje Marjan Vitanovski nuk pranoi të prononcohet pasi nuk mundej të pajtohej me këtë vendim. Poashtu edhe avokati i palës mbrojtëse Hristijan Georgievski nuk deshi të japë një prononcim, vetëm kalimthi dhe buzë gaz tha “Unë nuk kam ndonjë koment”.
7 vjet burg për vrasësin e Komandant Shqiponjës… by tvshenjaofficial