Samiti në Trieste pritet që të sjell angazhim më të fuqishëm dhe konkret të BE-së ndaj të ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor. BE do të ndajë 1.3 miliard euro grante për rajonin deri në vitin 2020 për projekte të energjisë, transportit dhe mjedisit. Këtë e kanë deklaruar sot shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar dhe ambasadori italian, Karlo Romeo, gjatë një konference të përbashkët, ku kanë informuar rreth qëllimëve të këtij samiti. Ata po ashtu thanë se përveç kësaj, për rajonin do të ndahen edhe rreth 200 milionë euro për shtatë projekte të tjera.
“Zhbogar theksoi se ndërtimi i rrugëve, urave dhe lidhja e territoreve do të japin një kontribut të thellë në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimin e paqes, por edhe në sjelljen e përfitimeve ekonomike. Përkushtimi i BE-së drejt këtij rajoni është rritur, ajo dëshmohet edhe me vizitat e fundit të përfaqësuesve të Unionit, mes të cilave Federika Mogerini dhe Johanes Han, si dhe vizitat e liderëve të vendeve ballkanike në Bruksel”.
Zhbogar po ashtu përshëndeti takimet e përfaqësuesve të lartë qeveritar të Maqedonisë me ato të Bullgarisë dhe Greqisë. Sipas tij, sa më të fuqishme të jenë marrëdhëniet me fqinjët që janë pjesë e familjes evropiane, aq më tepër Maqedonia do të ketë mbështetje nga të njëjtit në BE.
Ndërkaq, ambasadori italian Karlo Romeo theksoi se hap historik do të jetë nënshkirmi i marrëveshjes për formimin e Bashkësisë së Transportit në rajon, si dhe Zyra për bashkëpunim i odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, samiti në Trieste ka për qëllim angazhimin ekuivalent të rajonit në prioritetet evropiane, strategjinë e zgjerimit dhe përparimin në pjesën e pranimit të gjashtë vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.
“Nga këndvështrimi rajonal prioritetet do të jenë konsolidimi i demokracisë, sigurisë, si dhe stabiliteti shoqëror dhe ekonomik. Po ashtu edhe në tejkalimin e ndarjes logjike të së kaluarës dhe të diktimit të retorikave nacionaliste”.
Në këtë samit, përveç kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini, si dhe komisioneri i BE-së për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim, Johannes Hahn. Samiti “BE – Ballkani Perëndimor” mbahet në kuadër të iniciativës “Procesi i Berlinit” me të cilën kryeson Italia, ndërsa është nisur në vitin 2015 për zgjerimin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnje dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.
Teuta Buçi /SHENJA/
BE rritë angazhimin për Ballkanin by tvshenjaofficial