Në vijim ua sjellim fjalimin e plotë të hoxhës Abdusamed Zeqiri:
Të nderuar vëllezër besimtarë, sot është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe unë dua të ndaj me ju disa çaste jo vetëm të gëzimit, por edhe të përkujtimit të rëndësisë së madhe që ka shkrimi e dija. Sot para 111 vjetëve në Manastir, pra më 22 nëntor 1908, shumë intelektualë shqiptarë, mes të cilëve edhe disa hoxhallarë, si Hafiz Ibrahim ef. Hoxha nga Shkupi e Rexhep efendi Voka nga Tetova, morën vendim për alfabetin unik të shqipes, me çka u vendos edhe gurthemeli i identitetit tonë kombëtar.
Në fakt, në shumë ajete të Kuranit Zoti betohet në gjëra të rëndësishme nga bota jonë. Ai betohet për kohën, betohet në diellin dhe hënën, betohet edhe në yjet, por ne do ta sjellim sot një betim të veçantë të Allahut – betimin në Lapsin dhe Shkrimin. Zoti thotë në ajetin e parë të kaptinës “Kalem”, pra të kaptinës “Lapsi”: “Nun. Vel kalemi ve ma jesturun” (Nun. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë). Pa hyrë në shpjegimin e mistereve të shkronjave që Zoti i përmend në hyrje të disa kaptinave, do të themi se sipas mufesirit të njohur, Taberiu, shkronja nun i ngjan pikërisht një kallamari të bojës, pra një gote ku mbahet bojë, aq më shumë që pas tij vjen menjëherë ajeti për penën dhe shkrimin. Aty Allahu xh.sh. betohet pikërisht për lapsin dhe për shkrimin. Betimi mbi penë dhe mbi shkrim është mesazhi më sublim hyjnor për rëndësinë e shkrimit, të kujdesit për dijen përmes shkrimit dhe të vetë librit si arkiv i dijes. Ky ajet është përkujtim i ajeteve të para të kaptinës “Alek”, ku Zoti i bën thirrje Muhamedit a.s. “Lexo!”. Lapsi, shkrimi dhe leximi janë dhunti nga Zoti, përmes të cilave Zoti i foli njeriut dhe përmes të cilave në botë u përhap dhe u shpërnda urtësia hyjnore.
Andaj, ata rilindës e intelektualë shqiptarë, që më 22 nëntor 1908 në Manastir e përcaktuan alfabetin e gjuhës shqipe, kishin sigurisht edhe frymëzimin e madh që përmes atyre shkronjave dhe asaj gjuhe të përhapet fjala e Zotit. Ndonëse atëbotë kishte kundërshtime për llojin e shkronjave dhe arsyen pse duhej bërë ai alfabet, që edhe sot janë temë e debateve shkencore, pavarësisht kësaj, ne sot jemi të nderuar që kemi një gjuhë dhe një alfabet me të cilin kemi shkruar e botuar mijëra libra shqipe, që kemi pasur mundësi të mësojmë shumë të vërteta dhe njëherazi të shkruajmë shumë të vërteta. Shkrimi është mënyra më e mirë që ne të komunikojmë edhe me ata që kurrë nuk do t’i takojmë. Shkrimi është konservimi i dijes dhe transmetimi i saj në histori. Shkrimi është dhunti e bekim nga Zoti, siç është edhe gjuha. Kur Zoti na ka krijuar dhe na ka bërë njerëz, vullneti i tij ka qenë që ne të ndahemi në kombe e gjuhë të ndryshme, për ta kuptuar kështu, pra përmes dallimeve, më mirë madhërinë dhe mëshirën e Zotit. Prandaj me qenë shqiptar, kjo është dhuratë nga Zoti dhe ne duhet të mburremi dhe të kujdesemi për këtë identitet që na e ka falë Zoti. Po ashtu duhet të kujdesemi edhe për gjuhën shqipe, ta ruajmë e ta mbrojmë atë, si dhe t’ua lëmë trashëgimi brezave që vijën pas nesh. Nëse vullneti i Zotit ka qenë që ne t’i takojmë këtij kombi dhe kësaj gjuhe, ne këtë përzgjedhje të Zotit duhet ta përcjellim edhe te brezat pas nesh. Natyrisht, për neve të jesh shqiptar, nënkupton edhe të jesh mysliman, sepse albanologjia sot dëshmon se shqiptarët u bënë komb i veçantë atëherë kur u bënë myslimanë. Këtë nuk e them unë dhe nuk e shpik unë, po këtë e thotë shkenca e albanologjisë. Andaj, ne duhet të ndjehemi mirë në këtë identitet dhe duhet ta zhvillojmë dhe mbrojmë këtë. Sigurisht, me qenë shqiptar nuk është mburrje racore dhe përjashtim i tjetrit. Sepse, për neve janë vëllezër edhe turqit, që i kemi vëllezër për nga feja, edhe boshnjakët, edhe të gjithë myslimanët e tjerë të botës. Sepse Muhamedi a.s. tha në hadith: “Të gjithë besimtarët janë vëllezër!”
Shumë të dashur besimtarë, duke jua uruar shqiptarëve Ditën e Alfabetit, ju uroj të gjithëve që ta doni e ta mësoni gjuhën tuaj, sepse përmes gjuhës, pos tjerash, ne e mësojmë të vërtetën hyjnore, e njohim Zotin dhe e madhërojmë atë. Ata që flasin mirë shqip, që shkruajnë mirë shqip dhe që kujdesen për gjuhën e tyre, e plotësojnë një detyrim të fesë sonë madhore që të kujdesemi për tiparet me të cilat na ka falë Zoti neve.
Po e përfundoj këtë hutbe me thënien e famshme të hz. Aliut r.a., i cili tha se “Kush ma mëson një shkronjë, do iu kisha bërë rob gjithë jetën.” Nëse do isha shprehur figurativisht, do të thosha se “Atij që m’i ka mësuar 36 shkronja, i mbetem borxh 36 jetë”. Kështu e kuptojmë se mësuesit tanë janë pasuesit e Pejgamberit a.s., sepse i Dërguar i Allahut s.a.v.s. tha se “Pasardhësit e pejgamberëve janë dijetarët.” Ndërsa dija vjen te ne pikërisht përmes lapsit, përmes shkrimit dhe përmes gjuhës. Prandaj qoftë e bekuar Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe Zoti na faltë dije e guxim që ta njohim e ta shkruajmë të vërtetën.
https://www.facebook.com/Almakos1/videos/464536237504694/