Video/ Ja pamja që do të ketë ‘Bisha’ e re e Presidentit Trump

Kur të marrë detyrën pas 20 janarit, Donald Trump nuk do të jetë ndër Presidentët e preferuar për shumicën e amerikanëve dhe sigurisht që armiqtë nuk i mungonin, as i mungojnë dhe as do t’i mungojnë.

E për të qenë sa më i sigurtë dhe për të shmangur skenarin më të keq, Presidenti i zgjedhur do të ketë sigurinë maksimale, jo vetëm në Shtëpinë e Bardhë dhe ajër, por edhe në tokë.

E ashtuquajtura “The Beast”, makina me të cilën lëvizin presidentët amerikanë është gati dhe do të prezantohet gjatë inaugurimit të Trumpit president.

Makina është ndërtuar nga “Cadillac” në bazë të kërkesave të bëra nga shërbimet inteligjente amerikane. Do të jenë 12 modele identike që do të prezantohen pas 20 janarit, i njëjti numër sa ishte në shërbim edhe të Presidentit Obama dhe familjes së tij dhe njëra prej tyre do të shoqërojë Trump në çdo dalje jashtë SHBA.

Risitë janë përforcimi i xhamave dhe pjesëve të tjera, që në modelin e ri janë në gjendje të përballojnë goditje më të fuqishme, si minat apo predha të ndryshme kundërtank apo kundërajrore.

Në brendësi do të jetë një minispital, ku nuk do të mungojë asgjë, përfshirë edhe një qese gjaku në rast nevoje për presidentin. Do të ketë sisteme të përditësuara komunikimi dhe sistem mbrojtës kundër sulmeve me armë kimike apo biologjike.

E gjithë kjo siguri do të shërbejë vetëm për 30 minuta udhëtim, kjo pasi në protokollet e sigurisë, Presidenti nuk mund të udhëtojë me këtë makinë në destinacione më të largëta se kaq. Për udhëtime mbi 30 minuta shfrytëzohen helikopterët “Marine One”.

https://www.youtube.com/watch?v=rlImG_tPy2s