Video/ Kërcënoi me armë policin, momenti i arrestimit të Orgest Bilbilit, i plagosur në këmbë

Video/ Kërcënoi me armë policin, momenti i arrestimit të Orgest Bilbilit, i plagosur në këmbë

Orgest Bilbili është plagosur dhe arrestuar ditën e sotme nga policia. Në një deklaratë zyrtare ka sqaruar rrethanat e arrestimit të Bilbilit, i cili prej më shumë sesa dy vitesh ishte i shpallur në kërkim.  Burime zyrtare bënë me dije se në sajë të kontrolleve për zbatimin e masave nga qytetarët, kundër COVID, në Tiranë, në rrugën ” Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, punonjësi i Policisë së forcës së posaçme “Shqiponjat”, i ka kërkuar një shtetasi lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.





Sipas Policisë, 30-vjeçari Orgest Bilbili, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë.

Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë. Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë. Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë.

Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit. Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës. Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”. Aktualisht ky shtetas është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tirane, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën. Më poshtë është edhe video, gjatë momentit që Bilbili arrestohet, teksa gjendet i shtrirë në tokë, i plagosur në këmbë.