VIDEO/ Koronavirusi, në Kroaci hapen dyqanet, muzetë dhe transporti publik

VIDEO/ Koronavirusi, në Kroaci hapen dyqanet, muzetë dhe transporti publik

Mbrëmë pas mesnate kanë hyrë në fuqi zbutja e masave parandaluese kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Kroaci, miratuar nga Shtabi Kombëtar i Mbrojtjes Civile, që parashikojnë hapjen e dyqaneve dhe transportit publik, por nën masa të veçanta epidemiologjike.

Selia e Mbrojtjes Civile e Republikës së Kroacisë, nga sot, me qëllim hapjes së pjesshme të ekonomisë, mundëson punën e të gjitha subjekteve afariste të angazhuara në tregti, përveç atyre që operojnë brenda qendrave tregtare, të cilat nuk u hapën më herët.

Ndalimi i punës mbetet i vlefshëm të dielave, festave publike dhe ditëve jo të punës, kurse lejohet puna e furrave të bukës, dyqaneve të bukës dhe produkteve të tyre dhe pikat e karburantit.

Gjithashtu janë hapur linjat e transportit publik dhe periferik. Në Zagreb nuk operon tramvaji, por autobusët në të cilët është rritur kontrolli i biletave, udhëtarët këshillohen të mbajnë maskë dhe të ruajnë distancën.

Kornelija Ivançeviç, një biznesmene në një dyqan këpucësh në Ilica, që u hap sot në mëngjes, tha se numri maksimal i klientëve që mund të jenë në dyqan në të njëjtën kohë është gjashtë.

“Ne kemi pajisje mbrojtëse, maska, dezinfektues, kemi përgatitur gjithçka për të mirëpritur klientët tanë”, tha ajo, e cila pret që të ketë sot klientët e parë.

Përveç veshjeve mbrojtëse, maska, doreza, dezinfektues dhe mbajtja e distancës, nga shitësit e dyqaneve kërkohet të dezinfektojnë rregullisht sipërfaqet që klientët shpesh prekin me duart e tyre.

Në Kroaci praktikohen linjat e shpejta detare për ishujt që nuk lidhen me tragete, është mundësuar hapja e librarive, muzeve, galerive, si dhe stërvitjet për sportistët e kategorisë së parë dhe të dytë të ekipeve sportive apo individuale dhe ekipe sportive që garojnë në nivelin më të lartë të konkurrencës.

Nëse faza e parë e zbutjes së masave, e iniciuar për të zvogëluar numrin e të infektuarve dhe për normalizimin e jetës, tregohet e suksesshme, grupi tjetër i masave duhet të hyjë në fuqi më 4 maj, kur pritet të hapen aktivitetet që ofrojnë shërbime me kontakt siç janë parukeritë dhe të tjera dhe funksionim i plotë i shëndetit publik dhe sistemeve private të kujdesit shëndetësor./AA