VIDEO/ Nëna nga Maqedonia në Siri: “I bëj thirrje shtetit të na marrë, s’mund të jetojmë këtu”

VIDEO/ Nëna nga Maqedonia në Siri: “I bëj thirrje shtetit të na marrë, s’mund të jetojmë këtu”

Ajo gjendet 2.300 km larg Shkupit, në kampin Al Holl në Siri. Fëmijët jetojnë në kushte të këqija, mes pluhurit dhe mbeturinave. Gratë dhe vajzat bartin ushqim të paketuar dhe tentojnë ta pastrojnë hapësirën rreth tendave. Ekipit të gazetarëve të A1 i ishte dashur të bëjë kërkim disa-orësh për të gjetur gra dhe fëmijë nga rajoni. Biseduam me gazetarin e A2. Ai thotë se janë të kufizuar me sinjalin e internetit dhe na dërgoi një audio-mesazh.

“Ne faktikisht takuam vetëm atë vajzën e cila tha emër dhe mbiemër dhe se ishte nga Maqedonia, por me siguri aty mund të ketë persona të tjerë. Për ne ishte e pamundur të komunikonim me të gjithë ata pasi koha nuk na premtonte dhe siguria nuk na lejonte për më tepër, por që me siguri mund të ketë dhe persona të tjerë nga Maqedonia, të paktën njërën prej tyre arritëm ta intervistojmë ajo dha identitetin e saj çka mund të jetë edhe më e lehtë për identifikimin nga ana e strukturave shtetërore të cilat sigurisht duhet të bëjnë diçka”, tha Julian Kasapi, gazetar i A2. Lidhur me atë se si është gjendja në Siri, biseduam edhe me gazetarin e RTS-së, Vlladimir Baniq, i cili këtë verë i vizitoi këto kampe.

“Është për keqardhje që njerëz të rinj nuk dinë asgjë tjetër përveç gurit dhe telit. Jetojnë në territori të vogël, ndoshta aq sa Shkupi. Kjo është gjithçka. Ata njerëz nuk e kanë idenë se mund të jetë ende më mirë. Personat që kanë 20 vjeç, nuk e dinë si duket paqja, nuk dinë për vend tjetër. Nëse eventualisht largohen nga Izraeli, kjo do të thotë se kanë problem serioz mjekësor dhe duhet të bëjnë operacion. Ky është një territor i pafat”, u shpreh Vlladimir Baniq, gazetar i RTS-së, Serbi. Nga Ministria e Brendshme, për TV21 thonë se deri në prill të këtij viti, 4 gra bashkë me 7 fëmijët e tyre kanë kërkuar që nga Siria të kthehen në Maqedoni.

“4 gra – shtetase të Maqedonisë, bashkë me 7 fëmijët e tyre, një pjesë e të cilëve janë shtetas të Maqedonisë, po qëndrojnë në kampe refugjatësh në Siri. Dy nga gratë në fjalë, me ndërmjetësim të Kryqit të Kuq, kanë realizuar kontakt me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kanë hyrë në kontakt me MPB-në për shkak të lëshimit të dokumenteve dhe realizimit të transportit të tyre nga Siria në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Që nga fillimi i konfliktit sirian, deri më tani rreth 80 shtetas të Maqedonisë të cilët ishin të përshirë në veprime luftarake, logjistikë apo kanë qenë shoqërues, janë kthyer në Maqedoni.

Mes tyre kishte një grua dhe një fëmijë të mitur. Ushqimin dhe veshjen e shpërndajnë forcat kurde, kurse uji i pijshëm ruhet në rezervuarë plastikë. Qindra fëmijë po ecin rrugëve brenda kampit, të uritur dhe pothuajse të zhveshur, kurse disa prej tyre ndihmojnë në shpërndarjen e ushqimit dhe veshjeve.