VIDEO/ “Shkupi përkujton Srebrenicën”: Marsh i paqës në shenjë përkujtimi të gjenocidit

VIDEO/ “Shkupi përkujton Srebrenicën”: Marsh i paqës në shenjë përkujtimi të gjenocidit

Me Marsh të paqës në Shkup, në nder të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe me leximin e emrave të atyre që mbetjet mortore të të cilëve sot u varrosën në Qendrën memoriale në Potoçari, boshnjakët në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe bashkëqytetarët e tyre nga bashkësitë e ndryshme etnike shënuan 11 korrikun, Ditën e përkujtimit të viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë.

Në ngjarjen mes shumë qytetarëve të pranishëm morën pjesë edhe deputeti në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tulin Erkal Kara, koordinatori i Agjencisë turke për koordinim dhe bashkëpunim (TIKA) në Shkup, Ajtekin Ajden, kryetari i Lidhjes Demokratike të Boshnjakëve (LDB), Munir Kolashinac, si dhe përfaqësues tjerë të disa organizatave civile në vend.

Organizator i Marshit të paqës ishte Këshilli Nacional Boshnjak (KNB) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa kryetari i KNB-së, Xhevad Hot, tha se gjenocidi në Srebrenicë çdoherë do ta përkujtojë njerëzimin se deri në cilën masë mund të rritet krimi te njerëzit.

“Gjenocidi që është kryer mbi boshnjakët në Srebrenicë nuk është i tmerrshëm vetëm për njerëzit në Bosnjë e Hercegovinë ose për boshnjakët, pa marrë parasysh se ku jetojnë. Është i tmerrshëm për Evropën. Është i tmerrshëm për tërë botën. Është i tmerrshëm për secilin që ka të paktën një copë njerëzie në vete. Andaj jemi të obliguar të durojmë në kërkimin e fajit dhe përgjegjësisë morale të atyre që këtë gjenocid e kryen, atyre që e planifikuan ose në heshtje e ndoqën dhe ishin neglizhent ndaj krimit që kryhej në emër të tyre”, tha Hot.

Edhe ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tulin Erkal Kara u shprehu nderim të pësuarve, e cila iu drejtua të pranishmëve.

“Gjurmët dhe dhimbjen e pashlyeshme që e ka lënë në zemrat tona gjenocidi në Srebrenicë që në fakt është një akt i turpshëm i njerëzimit të shekullit të 20, do të jenë përherë të freskëta. Përkujtimet e përhershme të vëllezërve tanë që humbën jetën në këtë masakër qyqar, për ne gjithmonë do të dëshmojnë për një gjë, se derisa nuk arrihet paqe, mirëqenie dhe stabilitet në Ballkan dhe derisa nuk tejkalohet diskriminimi dhe urrejtja mes bashkësive etnike nuk mund të kemi ardhmëri”, theksoi Kara në fjalimin e saj dhe shtoi:

“Turqia ka dhënë angazhim të madh në drejtim të arritjes së stabilitetit dhe besimit në hapësirat e Ballkanit dhe në të ardhmen do të vazhdojë ta japim gjithë mbështetjen tonë në këtë drejtim. Lumturinë në këto hapësira e konsiderojmë për lumturi tonë dhe dhimbjen në këto hapësira e konsiderojmë për dhimbjen tonë”.

Muhamed Zekiri, deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, tha se këtu është t’ju jep nderim viktimave dhe të bashkëndjejë me familjet e të gjithë atyre nënave, motrave dhe bashkëshorteve që edhe sot me guxim luftojnë për drejtësi.

“Sot jemi këtu që të përkujtojmë se saktë para 24 viteve në Srebrenicë ndodhi gjenocid dhe u vranë mbi tetë mijë njerëz për shkak të një arsye të vetme, sepse ishin boshnjakë, gjegjësisht muslimanë. Fati i këtyre njerëzve është edhe fati ynë. Të gjithë ne jemi Srebrenicë. Ajo që ndodhi atje është plagë e njerëzimit. Nëse harrojmë se çka u ndodhi më shumë se tetë mijë baballarëve, vëllezërve, burrave dhe fëmijëve, ne i vrasim viktimat për herë të dytë”, theksoi Zekiri.

Fatima Shkrijel nga Qendra Kulturore Boshnjake lexoi poezinë “Srebrenica” nga poeti boshnjak Faiz Softiq, ndërsa artistët Selver Kardoviq nga Mali i Zi dhe Musa Gjunej nga Turqia që morën pjesë në Marshin e paqës, me performans artistik, i dhan respect viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA)..

Performans artisitik në shenjë përkujtimi të viktimave nga gjenocidi patën edhe anëtarët e shoqatës “Divanhana” nga Shkupi dhe muzikanti Xhengis Ibrahim.

Në gjenocidin mbi boshnjakët në Srebrenicë në vitin 1995 i kryer nga ana e ushtrisë së Republikës Sërpska, që mori ndihmë nga formacionet logjistike në Serbi, u vranë së paku 8.732 civilë.