VIDEO/ Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për bashkëqeverisje

VIDEO/ Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për bashkëqeverisje

Partia që ka dalë e para nga zgjedhjet e 6 tetorit, Vetëvendosje dhe partia e dytë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë arritur sot marrëveshje për të bashkëqeverisur në qeverinë e re.

Pas një takimi rreth një ore midis kreut të VV-së, Albin Kurtit, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës si dhe kandidates për kryeministre nga kjo parti Vjosa Osmani, u tha se është arritur marrëveshje që këto dy parti të bashkëqeverisin.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta, ndërsa ky takim është fillim i planifikimit të kësaj qeverisjeje.

“Synimi ynë është që t’i dalim zot nevojave të qytetarëve, të respektojmë të drejtat e tyre dhe ta orientojmë shtetin kah drejtësia, kah zhvillimi, kah demokracia dhe mirëqenia për të gjithë. Jemi dakorduar që të kemi një dysheme prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor. Minimalisht, pra do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave dhe zëvendësministrave. Do të kemi shumë më pak ministri shumë më pak ministra por do të kemi shumë angazhim e më shumë punë. Ekipet tona profesionale të VV-së e LDK-së do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe për t’u dakorduar për projektet tona. E uruam njëri tjetrin për gjithçka dhe besoj se do të na shkojë mbarë e mirë sepse jemi pajtuar që të qeverisim bashkë. Kështu që urime të gjithëve”, theksoi Kurti.

Ndërkaq, kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani tha se takimi i sotëm ka qenë në nivel më shumë të parimeve jo të detajeve.

“Të dyja partitë, treguam vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Dhe, vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve të Kosovës. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimet tona, kryesisht sa i përket një qeverie e cila do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, mirëpo do të rritet sa i përket punës së mirë për qytetarët”, tha Osmani.

Ajo shtoi se LDK ende po e pret rezultatin final dhe nëse ndryshon pozita e këtyre dy partive, nuk do të hezitojnë që në bashkëqeverisje të pranojnë që kushdo që ka fituar ta marrë pozitën e kryeministrit.