Vijojnë reagimet rreth ndërtimit të deponisë në Debërc

Komisioni qeveritar për menaxhim me trashëgimi kulturore dhe natyrore të rajonit të Ohrit i formuar vitin e kaluar, do të kërkojë të bëhen ndryshime në vendimin për ndërtimin e deponisë rajonale në komunën e Debërcës. Atje pritet të dërgohen mbeturinat e nëntë komunave të pjesës jugperëndimore të vendit, mes të cilave edhe mbeturinat e Strugës, Ohrit, Dibrës dhe Kërçovës. Pasi kundër këtij qëllimi të Qeverisë dolën autoritetet lokale dhe banorët e Debërcës, komisioni vlerëson se patjetër duhet gjetur zgjidhje të problemit.

Mendoj se për këtë deponi do të bisedohet edhe më tej, konsideroj se kjo nuk është zgjidhje finale dhe ekziston mundësia që deponia të dislokohet dhe të gjendet zgjidhja më e mirë. Do të përpunohen studime përkatëse dhe do të gjendet vend i përshtatshëm për dislokim, jashtë kufijve të trashëgimisë botërore – tha Zoran Pavlov, kryetar i Komisionit për menaxhim me rajonin e Ohrit.

Pavlov shprehet se do të reagojnë ndaj të gjitha parregullsive të cilat cenojnë statusin e trashëgimisë botërore. Edhe ambinetalistët alarmojnë se Debërca është lokacion i keq për një deponi aq të madhe rajonale pasi gjendet në zonë grykore të Liqenit të Ohrit.

UNESKO dha rekomandim që deri në vitin 2020 deponia në Bukovë të mbyllet. Ohri më 1 janar do të mbetet pa hapësirë se ku t’i dërgojë mbeturinat. Në këtë një vit e gjysmë, i tërë rajoni patjetër ta zgjidh problemin me dërgimin e mbeturinave – u shpreh Trajçe Taleski, Organizata “Ohri SOS”.

Struga është njëra nga Komunat që më së shumti varet nga zgjidhja e problemit e deponinë rajonale. Banorët e Strugës me vite ngulfaten në mbeturina që barten në deponinë e egër lokale që gjendet në vetëm 500 metra pranë shtëpive të para në qytet. Për shkak të motit të nxehtë, struganët druajnë nga ndezja e serishme e saj. Por, autoritetet lokale bindin se po punojnë rreth asaj që mos të përsëriten pamjet e vitit të kaluar.

Miki Trajkovski

TAGS