Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë deklaruar qëndrime të afruara sa i përket koalicionit qeverisës tash e disa kohë.
Mbrëmë, Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë takuar në rançin e këtij të fundit në fshatin Prapashticë për të diskutuar rreth koalicionit të mundshëm, shkruan lajmi.net.
Mirëpo, të dy subjektet politike kanë heshtur përkrah raportimeve rreth takimit të tyre të mbrëmshëm.
Sipas burimeve të lajmi.net takimi i dy liderëve ka zgjatur deri pas mesnatës por nuk është bërë e ditur nëse ky takim ka përafruar qëndrimet e subjekteve politike.
Në anën tjetër, i mandatuari për formimin e qeverisë nga partia fituese e zgjedhjeve, Albin Kurti, ka edhe 10 ditë kohë nga Kushtetuta që të gjejë modalitetin e formimit të qeverisë.
Por, në anën tjetër, afat më të ngushtë sesa Kushtetuta, Vetëvendosjes i ka dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës të cilët kanë thënë se nëse nuk ka marrëveshje deri të hënën do të largohen nga tavolina e bisedimeve.
Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala mbrëmë në një paraqitje televizive është shprehur se nëse qeverinë nuk e formon Vetëvendosja ajo mund të formohet me parti të tjera.
Problemi kyç për arritjen e marrëveshjes në kushtet të cilat janë në tavolinë është pozita e kryeparlamentarit që po ushtrohet nga Glauk Konjufca.
LDK ka kërkuar që Konjufca të largohet ose të dorëhiqet në mënyrë që LDK-së t’i shkojë posti i kryeparlamentarit, përderisa ekziston një marrëveshje për numrin e ministrive.
Vetëvendosje e ka kundërshtuar shkarkimin e Konjufcës e ky i fundit asnjëherë nuk është deklaruar nëse do të japë dorëheqje për t’i hapur rrugë koalicionit VV – LDK.
Sipas ofertave të cilat janë në tavolinë, një marrëveshje duket shumë pak ose fare e mundshme, ndërsa sipas raportimeve mbrëmë Lëvizja Vetëvendosje i ka ofruar LDK-së ndarjen e viteve në postin e kryeparlamentarit në 2+2 gjë që nuk është pranuar nga LDK.
Ky vikend pritet të jetë vendimtar për arritjen e një marrëveshje për koalicion midis LDK-së dhe Vetëvendosjes përndryshe do të kalojë edhe afati Kushtetues për Kurtin.
LDK nuk ka mohuar mundësinë e formimit të qeverisë edhe me parti të tjera kështu që sipas diskrecionit të Presidentit, LDK mund të dërgojë mandatarin në momentin që Kurti dështon të formojë qeverinë.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë zhvillimet në skenën politike ditët në vazhdim. /Lajmi.net/