Vite më parë e refuzoi Shqipërinë, sot pret ftesë për t’u veshur kuqezi

Vite më parë e refuzoi Shqipërinë, sot pret ftesë për t’u veshur kuqezi

Elvis Kabashi kërkon të veshë fanellën kuqezi, edhe pse dikur e kishte refuzuar Kombëtaren e Shqipërisë.

Nuk është një lajm i rremë, por një dëshirë e shprehur me zë e figurë nga futbollisti që kur ishte 19-vjeç refuzoi Shqipërinë, sepse dëshironte të luante në Kombëtaren A, duke mos pranuar ftesën e përfaqësueses U-21 (shkroi një letër të hapur, ku kërkonte që të mos i dërgonin më ftesë, pasi dëshironte të luante për Italinë).

Pas një karrierë me shumë peripeci (shpesh është shkruar se e përndoqi mallkimi i Kombëtares), 25-vjeçari është stabilizuar te Dinamo e Bukureshtit në Rumani, në të njëjtën skuadër ku luan mbrojtësi i Kombëtares, Naser Aliji.

Pyetjes së gazetarit të “Digisport” në Rumani, nëse dëshiron të luajë me Alijin edhe në përfaqësuese, ai i përgjigjet:

“Me Alijin kuptohemi shumë mirë dhe kemi një marrëdhënie shoqërore dhe jashtë fushe. Është mirë të jesh në një ekip me një shqiptar tjetër. Shpresoj, sepse ka patur disa keqkuptime sa i përket grumbullimit tim me Kombëtaren. Është folur për një letër që unë kam shkruar, por nuk është e vërtetë, sepse letrën e pati shkruar ish-menaxheri im, me të cilin kam disa gjyqe të hapura. Ajo letër më pozicionoi kundër kombëtares, sepse, nëse unë nuk do të doja të luaja me Shqipërinë nuk do të luaja as me 19-vjeçarët në eliminatoret e Europianit. Prindërit e mi janë Shqiptarë, unë kam lindur në Itali, por gjaku im është ai i një shqiptari, ndaj nuk ka arsye pse ta refuzoj Kombëtaren e Shqipërisë. Gjithë këtë rrëmujë e ka shkaktuar ish-menaxheri, i cili nuk donte që të luaja me Kombëtaren, por të përqendrohesha vetëm tek Juventusi. Njerëzit kanë të drejtë të më gjykojnë, pasi nuk e dinin të vërtetën, ndërsa unë nuk kam folur më parë për këtë letër, sepse nuk kam shkruar asgjë dhe në ndërgjegjen time jam i qetë.”

Do të kalonin 6 vite që Kabashi, te tregonte “të vërtetën” e tij, ndryshe nga perceptimi që është krijuar ne opinionin sportiv, se ai u soll në mënyrë të padenjë karshi fanellës kuqezi.

“Ndoshta duhet të isha kundërpërgjigjur, por m’u duk sikur do t’i hidhja benzinë zjarrit. Tani është në dorën time të tregoj se sa e rëndësishme është Kombëtarja për mua. Shpresoj të grumbullohem, pasi është një krenari të  mbrosh ngjyrat e vendit tënd. Do të përpiqem të stërvitem e të punoj sa më shumë për t’u rikthyer në Kombëtare.”/SS/

[embedded content]

TAGS