Vlerësime për qëndrimin e Bullgarisë në lidhje me debatet historike dhe gjuhësore me Maqedoninë e Veriut

Vlerësime për qëndrimin e Bullgarisë në lidhje me debatet historike dhe gjuhësore me Maqedoninë e Veriut

Dr. Anton Pançev

Marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Republikës të Maqedonisë së Veriut janë komplekse dhe gërshetohen në shumë dimensione. Mosmarrëveshjet kryesore janë të lidhura me vlerësimin e shumë ngjarjeve dhe personaliteteve historike, me krijimin e “gjuhës maqedonase” dhe në përgjithësi me karakterin etnik të një pjese të madhe të popullsisë nga territoret e Maqedonisë së Veriut të sotme. Ky tekst është me karakter publicistik dhe nuk ka citime shkencore, por çdo fakt dhe proces i prezantuar në të është vërtetuar me shumë burime dhe prova origjinale.

Çështja e gjuhës

Nga pikëpamja formale “njohja” e “gjuhës maqedonase” nga Sofja zyrtare paraqet një çështje relativisht të lehtë (edhe pse insistimi i Shkupit për “njohjen e gjuhës së tyre” është mjaft e çuditshme, sepse në të drejtën ndërkombëtare ky parim nuk ekziston dhe këto veprime tregojnë qartë politizimin e skajshëm të kësaj teme). Dikush mund të thotë se krijimi i një gjuhe të re mund të bëhet pa probleme nga çdo formë dialektore ose nga çdo e folme e ndonjë gjuhe. Një gjuhëtar i shkathët mund ta realizojë këtë “detyrë” për disa javë. Në këtë lidhje, ka mjaft argumente të pastra gjuhësore, të cilat mund të provojnë se “gjuha maqedonase” po, ekziston. Midis bullgarishtes dhe gjuhës zyrtare të Republikës të Maqedonisë së Veriut në dekadat e fundit mund të vërehen dallime të ndryshme në fonetikë, në leksik etj., kryesisht për shkak të “serbizimit” të qëllimshëm të normës letrare maqedonase nën presionin e Serbisë. Por prapëseprapë, pse pala bullgare nuk pranon një situatë deri diku objektive në këtë rast? Përgjigja duhet kërkuar në dy drejtime. Së pari, në kontekstin shkencor të krijimit të “gjuhës maqedonase”, dhe, së dyti, në kontekstin e thellë historik dhe të identitetit. Krijimi i “gjuhës maqedonase” ka filluar zyrtarisht në fund të vitit 1944 dhe ka vazhduar në vitet pasuese me mjetet dhe veglat politike të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të shtetit jugosllav (serb). Kështu “gjuha maqedonase” u krijua në mënyrë tepër artificiale, me qëllimin kryesor të largohej sa është e mundshme nga bullgarishtja. Por, ky fakt nuk është gjëja më e rëndësishme. Së dyti, duke kërkuar nga Bullgaria “njohjen zyrtare të gjuhës maqedonase”, përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut thjesht pretendojnë ta “përvetësojnë” kulturën, shkrimin dhe në fund të fundit historinë bullgare nga Mesjeta deri shekullin e XX. Si e bëjnë? Ata thonë se “gjuha maqedonase” paska ekzistuar që nga Mesjeta dhe letërsia bullgare, shkruar nga Shën Kliment Ohridski dhe qindra shkrimtarë pas tij, i takonte “letërsisë dhe kulturës maqedonase”! Por të gjithë autorët prej kësaj zone, që kanë shkruar në ndonjë dialekt të bullgarishtes, nga Mesjeta, nga Rilindja, nga gjysma e parë e shek. XX, madje një pjesë edhe nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, kanë deklaruar shumë qartë (shihet edhe në titujt e librave të tyre) që janë bullgarë dhe punojnë për kauzën kombëtare bullgare. Bullgaria dhe populli bullgar nuk mund të lejojnë që me njohjen e “gjuhës maqedonase” në këto rrethana dhe prapavija politike, të shkatërrohet historia dhe kultura bullgare.

Çështja e historisë

Me Traktatin e miqësisë nga viti 2017 u krijua Komisioni i përzier për çështjet e historisë dhe të arsimit që ka për detyrë kryesore përafrimin e teksteve shkollore. Pala bullgare insiston që puna e këtij komisioni të bazohet mbi interpretimin shkencor të ngjarjeve historike duke u mbështetur mbi burimet autentike dhe mbi provat objektive. Ky komision i përbashkët nuk kishte përparime reale dhe nga vjeshta e vitit të kaluar nuk funksionon, sepse përfaqësuesit maqedonas u tërhoqën për një afat të papërcaktuar. Bullgaria dëshiron zbatimin e shpejtë të rezultateve të punës së Komisionit në librat mësimorë, si edhe vazhdimin e punës së tij në përgjithësi. Ky komision dhe çdo strukturë tjetër duhet të ngrihen punën e tyre mbi parimet e mirëfillta shkencore. Çdo qëndrim duhet të argumentohet me burime objektive. Prandaj, kur bisedohet për fugura dhe procese historike, shkencëtarët bullgarë përdorin burime dhe fakte autentike që t’i vërtetojnë tezat e tyre, derisa, për fat të keq, përfaqësuesit e Maqedonisë së Veirut janë tepër larg standardeve shkencore dhe paraqitin teza ideologjike dhe krejtësisht të pabazuara dhe të paargumentuara. Ky komision, i cili e shqyrton faktikisht historinë e të gjithave komunitete etnike në Maqedoninë e Veriut, patjetër duhet të përforcohet edhe me ekspertë shqiptarë në rradhë të parë, sepse do të ishte shumë ngatërruese, nëse nuk është mbrojtur me dinjitet edhe historia shekullore e shqiptarëve në këto troje.

Mund të flitet shumë për mosmarrëveshjet në lidhje me historinë dhe me identitetin e personaliteteve shumë të përfolura historike, por më me rëndësi është të sqarojmë pse u bë ky ndryshim kaq thelbësor dhe dramatik në identitetin e këtyre njerëzve? Propaganda serbe ka qenë e pranishme në këto vise që nga fundi i shek. XІX, por pas pushtimit të tyre në fund të vitit 1912, makineria represive serbe e ka filluar punën e saj në mënyrë shumë aktive dhe brutale. Serbia kishte për qëllim përvetësimin e një territori relativisht të madh me një popullsi krejtësisht joserbe (me përjashtim të vetëm disa mijëra njerëzve të joshur nga propaganda serbe). Për serbizimin e Maqedonisë Beogradi ka ushturar terror dhe gjenocid kundër shqiptarëve në përgjithësi (“si element i huaj që nuk mund të serbizohet”, siç pohojnë me cinizëm vetë qeveritarët serbë) dhe kundër bullgarëve, por me një dalim – të likuidoheshin kryesisht pishtarët bullgarë (mësues, priftërinë, intelektualë, revolucionarë etj.) derisa bullgarët e tjerë të serbizoheshin. Edhe pse janë vrarë mbi 11 000 bullgarë nga këto zona (edhe dhjetëra mijëra shqiptarë) vetëm në vitin 1913, dhe terrori serb ka vazhduar me shkallë të madhe edhe në periudhën 1918-1941, plani serb është dështuar për shkak të qëndresës së popullatës bullgare dhe të asaj shqiptare. Ndërkohë, për shkak të terrorit serb, janë shfaqur ide për shpëtimin e bullgarëve në Maqedoni përmes krijimit të një kombi të ri, por vetëm me përmasa politike duke e ruajtur vazhdimësinë etnike bullgare. Lufta e Dytë Botërore, vendosja e trupave dhe e administratës bullgare në një pjesë të madhe të kësaj zone (ndonëse shumica dërrmuese e oficerëve dhe nëpunësve kanë qenë me origjinë nga Maqedonia), faktikisht si aleat i Gjermanisë naciste, së bashku me disa gabime të qeveritarëve bullgarë (por duhet të kihet parasysh se lufta civile ndërmjet qeverisjes bullgare dhe majtistëve ka qenë shumë më e ashpër dhe më e përgjakshme në territorin e Bullgarisë së sotme) u kanë dhënë përparësi të madhe jugosllavëve (serbëve) në rregullimin e çështjes maqedonase në favor të Beogradit. Duke i përdorur rrethanat e krijuara brenda dhe jashtë Jugosllavisë, si edhe nënshtrimin e Bullgarisë nga pushteti i ri komunist, që ndodhej edhe nën presionin e rëndë të Bashkimit Sovjetik, komunistët (faktikisht prapë shovinistët) serbë e kanë jetësuar teorinë e tyre për “kombin maqedonas” duke krijuar edhe “atributet” e tij – “gjuhë”, “identitet”, “histori”, “heronj” etj. Dhjetëra mijëra bullgarë janë vrarë, qindra mijëra të tjerë ishin të burgosur në kampet famëkeqe jugosllave dhe në këtë vend, tani “republikë” brenda Jugosllavisë komuniste, çdo shenjë e identitetit bullgar është përndjekur dhe fshirë pa mëshirë. Ushtria, policia, shërbimet sekrete, kolonistët serbë, administrata, sistemi edukativ, arsimor, kulturor etj. ishin vënë në shërbim të plotë për arritjen e aspiratave të shovinizmit serb. Pra, nevoja e mbijetesës fizike dhe kontrolli i rreptë i përditshëm në çdo fushë të jetës publike dhe private kanë sjellë deri krijimin e kombit maqedonas në realitetin politik të Ballkanit. Jemi të sigurt se lexuesit shqiptarë nga hapësirat e ish-Jugosllavisë sumë më mirë mund ta kuptojnë dhe ta përshkruajnë këtë proces asimilues dhe terroizues. Jo rastësisht, në Bullgaria kërkon gjithashtu të reabilitohen viktimat e shumta nga gjenocidi serb kundër popullsisë bullgare në periudhat 1913-1915, 1918-1941 dhe sidomos pas vitit 1944, kur në Jugosllavinë e Titos janë vrarë mbi 23 000 bullgarë dhe mbi 120 000 të tjerë janë burgosur, janë torturuar dhe përndjekur që të hiqnin dorë nga etninë e tyre bullgare. Gjatë bisedimeve të Serbisë për anëtarësimin në BE edhe Beogradit janë vënë kushte të tilla, të lidhura me hapjen e arkivave dhe të dosjeve serbe nga shek. XX. Edhe shqiptarët kanë vuajtur nga elaboratet shoviniste serbe dhe nga gjenocidi serb dhe besojmë se tema e gjenocidit serb në shek. XX mund të gjejë një kuptim të gjerë edhe te shkencëtarët dhe intelektualët shqiptarë.

Çështja kishtare

E kemi edhe çështjen fetare në marrëdhëniet bullgaro-maqedonase, sepse edhe ajo i prek  marrëdhëniet dypalëshe. Kisha ortodokse e Maqedonisë së Veriut kërkon njohje zyrtare nga kishat e tjera ortodokse, pra të shkëputet nga Kisha Serbe (që në parim është në përputhje me interesat bullgare) duke u bazuar mbi traditën kishtare e Arkipeshkisë së Ohrit. Ky institucion kishtar është krijuar në periudhën 1019-1020 nga perandori bizantin Vasilij ІІ pas pushtimit të Mbretërisë bullgare në krye me “Arkipeshkopin e të tërë Bullgarisë” (Αρχιεπίσκοπος της πάσης Βουλγαριας) dhe është mbyllur në vitin 1767 nga sulltani nën presionin e Patriarkanës së Stambollit. Duhet të përmendet se edhe lufta kishtare e popullit bullgar kundër përpjekjeve asimiluese të grekëve ka filluar nga komuniteti bullgar në Shkup në vitin 1827 dhe ka marrë hov të madh në këto vise në vitet 60-ta të shek. XІX. Këto fakte tregojnë në mënyrë të qartë sa të pabazuara janë pohimet në Shkup që Ekzarhia bullgare i paska bullgarizuar “maqedonasit” pas krijimit të saj! Në këtë lidhje mund të përmendet edhe fakti se katolikët (uniatët – Goce Delçevi i ka takuar këtij komuniteti fetar p.sh.), protestantët, si edhe deri diku myslimanët bullgarë (një pjesë prej tyre kishte pasur orientime proturke), kanë pasur ndërgjegje të palëkundshme etnike bullgare. Pra, nuk mund të flitet fare për ndonjë lloj “propagande” bullgare kundrejt “maqedonasve” në këtë periudhë me mjetet e fesë. Pastaj e kemi trashëgimin e Ekzarhisë bullgare, krijuar në vitin 1870 dhe shkatërruar në këto troje në mënyrë barbare nga serbët dhe grekët në vitin 1913. Në këto kushte, Patriarkana bullgare nuk mund thjesht “ta njohë” pavarësinë e Kishës maqedonase pa e mbrojtur historinë e vet dhe të tërë historinë bullgare.

Shembulli i shqiptarëve në ish Jugosllavi

Siç shihet nga ekspozimi i deritanishëm, lexuesit shqiptarë lehtë mund ta kuptojnë problemet dhe qëndrimet bullgare në lidhje me kontestin me politikanët dhe opinonistët në Maqedoninë e Veriut, që mbrojnë tezat, të cilat nuk janë të mbështetura me burime dhe me fakte të vërtetuara. Mund të bëhet edhe një krahasim midis gjendjes së bullgarëve dhe të shqiptarëve nën Mbretërinë serbe dhe Jugosllavinë, sepse pikërisht këta dy popuj kanë qenë në shënjestrën shekullore të hegjemonizmit serb dhe viktima të projekteve dhe të politikave shoviniste serbe. Shqiptarët që janë ndodhur nën pushtetin serb kanë përjetuar disa valë të mëdha të gjenocidit, të masakrave, të dëbimeve, si edhe terrorin, presionin dhe nënçmimin e përditshëm. Gjithashtu, kanë qenë të vazhdueshme edhe përpjekjet e shtetit serb për ndarjen dhe për shkëputjen e shqiptarëve në Jugosllavi nga Shqipëria dhe nga vëllezërit e tyre atje, jo vetëm me ndalimin e kontakteve midis tyre, por edhe me projekte për tjetërsimin dhe çarjen e kulturës dhe të identitetit shqiptar. Dihen mirë orvatjet serbe për imponimin e etnonimeve të ndryshme për shqiptarët në Jugosllavi dhe për ta në Shqipëri, ambiciet shoviniste serbe për largimin e shqiptarëve në Jugosllavi nga proceset kulturore dhe arsimore në Shqipëri. Ka pasur edhe elaborate për krijimin e “standardit kosovar” mbi bazën e dialektit gegë. Në një situatë analogjike me këtë të bullgarëve në Maqedoni shqiptarët e Kosovës do të prezantoheshin nga pushtuesit serbë për “kosovarë” që paskan luftuar për “kombin kosovar” dhe Hasan Prishtina dhe heronj të tjerë paskan vdekur në luftë me “shovinistët shqiptarë”! Me siguri disa ide të tilla absurde kanë qenë të diskutuara në qarqet “akademike” serbe!

Çfarë kërkon Bullgaria në fushën e debatit historik?

Zyrtarët dhe shkencëtarët bullgarë gjithsesi nuk dëshirojnë që t’ua imponojnë me forcë qëndrimet e tyre përfaqësuesve maqedonas në lidhje me çështjet e lartëpërmendura, si edhe në lidhje me çështje të tjera. Ata kërkojnë debate të ndershme, por edhe rezultate reale në afate të shkurtra. Debatet, vlerësimet dhe rezultatet prej tyre duhet të bazohen mbi realitetin objektiv etnik, kulturor, gjuhësor, fetar në këto troje nga epoka e Mesjetës së Hershme deri fundin e shek. XX. Ky realitet mund të ketë trajtime të ndryshme në disa aspekte, sidomos në shek. XX, dhe historiografia bullgare nuk është “perfekte” (asnjë historiografi në botë nuk mund të ketë pretendime në ndriçimin “perfekt” të së kaluarës), por trajtimi dhe përfundimet gjithmonë duhet të mbështeten mbi fakte, argumente dhe burime të kohës të shqyrtuara në mënyrë krahasimtare.

A mund të ekzistojë Bullgaria si hapësirë historike, kulturore dhe deri diku edhe politike me përmasat dhe me vlerat e plota pa Shën Kliment Ohridskin, pa Samuilin, pa vëllezërit Milladinovi, pa Goce Delçevin, pa mijërat dhe mijërat veprimtarë kulturorë, fetarë, politikë, revolucionarë, që kanë luftuar dhe shumë prej tyre kanë vdekur në mbrojtje të etninë e tyre bullgare?! Thuhet se së paku 1/3 e popullsisë bashkëkohore të Bullgarisë (vlen edhe për autorin e këtyre rreshtave) e ka prejardhjen nga refugjatë prej këtyre viseve. Prandaj, respekti duhet të jetë i ndërsjellë – ne respektojmë njerëzit me ndërgjegje maqedonase dhe pranojmë shtetin, kombin e tyre politik, ndjenjat e këtyre personave, por nuk mund të pranojmë falsifikimet dhe degradimet e historisë. Edhe ata duhet të respektojnë bullgarët (të gjallët dhe të vdekurit) dhe historinë e tyre. Nëse ka mosmarrëveshje, le të zgjidhen përmes debatit shkencor – me fakte, me burime autentike dhe me interpretimin e tyre të drejtë, jo me përralla dhe gënjeshtra të hapura. Por në lidhje me identitetin e këtyre qytetarëve të Maqedonisë së Veirut duhet te kemi parasysh së paku dy gjëra. Së pari, ndryshimet e shpeshta dhe pozicionet e paqëndrueshme të “ideologëve dhe të baballarëve të kombit maqedonas” për prejardhjen etnike, historike, kulturore të “maqedonasve”. Në kohën e ish Jugosllavisë përfaqësuesit zyrtarë jugosllavë kanë kërkuar nga Sofja ta njohë identitetin e “maqedonasve të Titos”, pastaj, deri para 4-5 vitesh, kërkonin njohjen e “identitetit antik”, tani ende nuk dihet çfarë saktë kërkojnë këta “baballarë”! Së dyti, pikërisht për shkak të këtyre lëkundjeve ideo-kulturore shumica e njerëzve në Maqedoninë e Veriut janë të ngatërruar dhe ende nuk dihen mirë perceptimet e tyre rreth këtyre proceseve dhe në çfarë shkalle produktet e ndryshme ideologjike kanë ndikuar mbi orientimet e tyre. Personalitetet në Maqedoninë e Veriut – politikanë, historianë, gazetarë, intelektualë etj., që merren me krijimin e politikës shtetërore, kulturore, arsimore etj., duhet të marrin përsipër një qasje serioze dhe përgjegjësi për ta ndryshuar drejtimin e gabuar të ndërtimit të shtetit dhe të kombit mbi falsifikime dhe shtrëngime. Vetëm me një qasje të çiltër mund të krijohen ideologji të qëndrueshme dhe marrëdhënie të sinqerta mbi baza të forta me shtetet e tjera, por edhe ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike brenda shtetit. Nga ana tjetër, degradimi i fakteve dhe i proceseve përmes gjoja “analizave kritike” dhe “konstrukteve sociale”, jo vetëm se i acarojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera të rajonit, por janë tepër fyese edhe për gjyshërit dhe stërgjyshërit e maqedonasve të sotëm, të cilët prezantohen në versionin e historianëve maqedonas, si qenie të ngatërruara pa ndërgjegje të qartë dhe të kulluar etnike, që kundërshtohet nga faktet dhe ky nocion është pjesë nga elaboratet shoviniste serbe.

Pasojat politike

Qeveritarët bullgarë kanë bërë gabime trashanike dhe strategjike në lidhje me Çështjen maqedonase dhe me fatin e bullgarëve në këto troje. Mjafton të përmendet “aleanca” me Serbinë dhe me Greqinë në vitin 1912 që ka sjellë pasoja tepër tragjike, si edhe krimet e regjimit komunist kundër veprimtarëve atdhetarë bullgarë, madje edhe kundër popullatës bullgare në Bullgarinë e sotme jugperëndimore. Sa i përket periudhës pas krijimit të shtetit të Maqedonisë, është plotësisht e vërtetë se Bullgaria ka pasur një qasje të mirë dhe ka treguar vazhdimisht dëshirën e saj për marrëdhënie të mira me Maqedoninë e Veriut. Ky pohim mund të provohet me shumë ngjarje dhe procese nga këto 30 vite, kur Bullgaria e ka përkrahur shtetin e Maqedonisë (së Veriut) në skenën ndërkombëtare. Bullgaria e ka mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe integrimin në BE. Mirëpo, kur u pa se anëtarësimi në NATO nuk çoi deri përparime të dukshme në qëndrimet e shkencëtarëve dhe liderëve nga Maqedonia e Veriut sa u përket çështjeve të diskutueshme, Kuvendi i Bullgarisë pranoi dhe votoi unanimisht një Deklaratë për integrimin e Republikës të Maqedonisë së Veriut në BE më 10 tetor 2019. Faktori politik bullgar është unifikuar plotësisht sa i përket Maqedonisë së Veriut (ndoshta për herë të parë në historinë më të re bullgare) dhe ka një pozicion të saktë dhe të prerë. Bullgaria nuk mund të lejojë Maqedonia e Veirut të hyjë në BE me këto qëndrime antibullgare, sepse ato rrezikojnë në thelb tërësinë dhe bazën e historisë, të kulturës, të gjuhës, të kishës, të identitetit bullgar. Historia dhe proceset kulturore dhe etnike në trojet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë qenë dhe nuk janë vetëm një pjesë mekanike në ekzistimin e Bullgarisë dhe të popullit bullgar, por kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesa më e rëndësishme në historinë dhe ideologjinë bullgare. Pra, Bullgaria tashmë nuk mund të lëshojë pe më, sepse çdo hezitim në këtë drejtim do të dëmtonte rëndë vetë historinë dhe kulturën e kombit bullgar. Madje edhe marrëdhëniet politike, kulturore, ideologjike, historike të Bullgarisë me shtete të tjera si Greqia, Serbia, Rusia etj. nga epoka e Mesjeta andej do të bëheshin të pakuptimta po të pranonte/të pajtohej Bullgaria me tezat e plotësisht të pabazuara të Shkupit. Këtu duhet të tregohet edhe për një gabim tjetër strategjik të Sofjes zyrtare nga vitet e fundit dhe ai është përqendrimi bullgar mbi Shkupin, derisa nuk trajtohet në mënyrën e duhur fajtori kryesor i kontestit bullgaro-maqedonas – Serbia, dhe qarqet e saj politike dhe akademike, që në të vërtetë duhet të pendohen, të dënojnë dhe të heqin dorë përgjithmonë nga projektet dhe përpjekjet e tyre shoviniste.

Duke u bazuar mbi këto të dhëna dhe procese shihet qartë pse Bullgaria do t’i përdorë të gjitha veglat e saj që të mos lejojë historia dhe perspektiva bullgare të degradohen dhe të shuhen. Shekulli XX ishte tragjik për popujt e Ballkanit – dhunë masive, shpërngulje, presione, burgosje e shumë fatkeqësi të tjera. Komunitetet etnike të Maqedonisë së Veriut kanë vujatur shumë dhe meritojnë një të ardhme më të ndritur. Dëshirojmë të jemi së bashku edhe në BE, edhe në çdo nismë tjetër që ka për qëllim prosperitetin e përbashkët. Republika e Maqedonisë së Veirut duhet të ngrihet si shtet funksional, ku të gjithat komunitetet etnike kanë të drejta të barabarta. Ne, bullgarët, nuk mohojmë identitetin e të gjithë njerëzve në këtë shtet, por nuk do të lejojmë të mohohet edhe identiteti i bullgarëve kudo në botë. Si përfundim, mund të përsëritet, se çdo mosmarrëveshje në lidhje me këto çështje historike dhe kulturore duhet të zgjidhet përmes dialogut të sinqertë, bazuar mbi faktet dhe argumentet shkencore.

panalbanica.net