VMRO-DPMNE e la jashtë Muhamedin

VMRO-DPMNE e la jashtë Muhamedin

Profesori i Hasanbegut, Muhamed Ahmeti, i cili ishte i nominuar nga VMRO-DPMNE si zv/kryetar i Shkupit nëse do të fitonte në zgjedhjet lokale ka ngelur jashtë organeve të larta partiake. Ai ishte një figurë tejet e promovuar nga VMRO-DPMNE, por dhe një kartë për të tërhequr votues shqiptarë. Megjithatë moszgjedhja e tij tregoi se partia që drejtohet nga Hristijan Mickoski do të vazhdojë politikën nacionaliste, informon INA.

VMRO-DPMNE-ja zgjodhi Komitetin e ri Ekzekutiv duke mos përfshirë asnjë shqiptarë, ashtu siç theu tabutë LSDM e udhëhequr nga Zoran Zaev.

Ahmeti gjatë garës së zgjedhjeve lokale kishte theksuar se kandidimi i tij ishte dëshmi dhe veprim i VMRO-së për të thyer tabutë se kjo parti është kundër shqiptarëve.

“Ky është një hap i madh edhe për VMRO-DPMNE-në, e cila tregohet e hapur dhe në fakt e përfaqëson konceptin e një partie qytetare e cila bashkon”, kishte theksuar Ahmeti, duke hedhur poshtë zërat se kjo parti ka qenë kundër shqiptarëve.

“Bëhet fjalë për një propagandë të paramenduar. Ju siguroj se kjo nuk është kështu. Si Muhamed Ameti, kam dyert e hapura dhe kontribuoj aktivisht dhe kam ndërmend të kontribuoj edhe më aktivisht në krijimin e politikave të partisë. Nuk ka ndarje, ne jemi një. Gruevski është njeri që jep premtime dhe i realizon. A ka mundësi një njeri që hapi mbi 170 mijë vende pune, nga të cilat tridhjetë mijë vetëm në Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë, i cili ka hapur 10 fakultete në universitetin në Reçicë të Vogël, i cili hapi edhe një të ri të veçantë për shqiptarët i quajtur Nënë Tereza, i cili dha mbi 40 milionë euro subvencione për fermerët në Pollog, i cili dyfishoi numrin e shqiptarëve në administratën publike, i cili rikonstruoi dhe ndërtoi shumë shkolla për shqiptarët, a ka mundësi një njeri i tillë të jetë armik i shqiptarëve”, kishte theksuar figura e promovuar për të tërhequr shqiptarët, Muhamed Ahmeti.

Në mbledhjen e mbajtur sonte, Igor Janushev, ish drejtor i NTP-së është zgjedhur sekretar gjeneral i parties, ndërsa për nënkryetarë Aleksandër Nikollovski, kryetari i Kavadarcit Mitko Jançev dhe ish ministri Vllado Misajllovski. Ndër anëtarët e ri të Komitetit Ekzekutiv janë Vllatko Gjorçev, Trajko Sllavevski, Toni Mihajllovski, Konstantin Bogdanov nga reformatorët, Daniella Rangellova, Aleksandar Nikollovski, Ane Llashkovska, Koce Trajanovski, etj. (INA)