VMRO-DPMNE: Pushteti po tenton me çdo kusht t’i anulojë zgjedhjet

VMRO-DPMNE: Pushteti po tenton me çdo kusht t’i anulojë zgjedhjet

LSDM-ja nuk do ta mbështesë nismën e VMRO-DPMNE-së për ratifikimin e Protokollit përfundimtar për anëtarësim në NATO, duke u thirrur në praktikën e Malit të Zi. Sipas LSDM-së, derisa Kuvendi i Spanjës nuk e thotë fjalën e fundit, asgjë konkrete nuk do të ketë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Madje Socialdemokratët duke dyshuar në propozimin e liderit të opozitës, Hristijan Mickoski, kërkojnë nga ky i fundit që t’i mbështes ndryshimet në Ligjin për Mbrojtje të cilat synojnë standardizimin e ARM-së me NATO-n. Në Qeveri nuk ka nismë konkrete, por nga organi ekzekutiv thonë se iniciativa e tillë duhet të kalojë në seancë qeveritare dhe më pas të dorëzohet në Kuvend. Lidhur me dilemat nëse ratifikimi i protokollit përfundimtar mund të kalojë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pa kaluar në Spanjë, ish kryetari i Kuvendit, Stojan Andov thotë se një situatë të tillë nuk e pengon as Kushtetuta dhe as Rregullorja. Sipas tij, në iniciativë duhet përmendet se synohet ratifikimi i protokollit para se ta ketë ratifikuar Spanja e cila një gjë të tillë nuk e ka bërë për arsye juridike. Mickoski nga ana tjetër, ndaj përgjigjes së LSDM-së kundërpërgjigjet me akuza. Sipas tij, pushteti po tenton me çdo kusht t’i anulojë zgjedhjet nga të cilat do të pësojë humbje historike.

Tentojnë tani 5 minutat e fundit të gjejnë zgjidhje si t’i anulojnë zgjedhjet. VMRO-DPMNE-ja nuk do të pajtohet me një mashtrim të tillë dhe humbës të LSDM-së. VMRO-DPME-ja fiton në zgjedhjet e 12 prillit dhe në Maqedoni vjen realitet i ri. Ky është edhe një vërtetim se në LSDM ka një frikë të madhe nga humbja që i pret”-tha Hristijan Micskoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Grupi i deputetëve të pavarur nga VMRO-DPMNE-ja të cilët u shkëputën nga partia e Mickoskit me qëllim miratimin e ndryshimeve Kushtetuese lidhur me emrin,akuzojnë Mickoskin për hipokrizi dhe mungesë të qëndrimeve politike.

Hipokrizia e Hristijan Mickoskit po e arrin kulmin. Ai i cili për asnjë çështje me rëndësi, nuk ka qëndrim të prerë. Tani duke shfrytëzuar njerëz të tjerë pretendon të tregojë se NATO-n e ka shumë me rëndësi. NATO do të ishte e pamundur pa përgjegjësinë dhe guximin tonë personal, duke u ballafaquar me terror dhe shpifje të nxitura nga Mickoski”-pohoi Emilija Aleksandrova, deputet e VMRO-DPMNE-së.

Ditë më parë, nënkryetarja e Qeverisë, Radmilla Shekerinska potencoi se në rast të vonesave për të ratifikuar protokollin Parlamenti në Spanjë, zgjedhjet e parapara për 12 prill 2020 mund të shtyhen. Sipas saj, kjo bëhet me qëllim që anëtarësimi në NATO të mos vihet në rrezik./Alsat