30 Janar 2019 / 13:13
Ujë që rrjedh nga llambat elektrike, klasa të mbushura me kova, oborr i pa pastruar nga bora. Kjo është gjendja në të cilën ndodhet shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në fshatin Xhepçisht. Kjo situatë, ka alarmuar sot prindërit e nxënësve të kësaj shkolle, të cilët protestuan duke kërkuar zgjidhje nga drejtoria e shkollës, sepse jeta e fëmijëve të tyre është vënë në rrezik nga energjia elektrike.
“Mbylle shkollën, mbylle vëlla vendoja çelësin. Ju e dini se pikon gjithandej, e dini prej vjet. Përgjegjësi i shkollës dje më thotë mos e bëni të madhe se do bëhet politike unë kam dëshmitarë këtu. Alsati e din ka qenë edhe disa herë. A e sheh çfarë arome vjen nuk ka asnjë kusht këtu”.
“Në këtë gjendje fëmijët e shkollës fillore të Xhepçishtit po zhvillojnë procesin mësimor, ndërkohë që nga poçi elektrik pikon ujë, fëmijët, duhet në këtë bankë të zhvillojnë procesin mësimor duke vënë në rrezik jetën e tyre në çdo sekondë”.
“Ata që e kanë rregulluar objektin të marrin përgjegjësitë e veta dhe t`i plotësojnë kushtet që i duhet një objekti normal. Sot djalin e kam ndal në shtëpi, tani do vendosim bashkë a do vazhdojmë apo jo”.
“Si prind mendoj se menjëherë duhet të ndalet mësimi, këtu nuk ka as kushte minimale dhe jeta e fëmijëve tanë është në rrezik, mendoj se nuk ia vlen të vinë në mësim”.
“Është e vërtetë se fëmijët përditë e kanë jetën e tyre në rrezik mund të bindeni edhe vetë shihni në kuzhinë poshtë ka afërsisht 20 centimetra ujë. Uji rrjedh përmes instalimeve të rrymës pra është rrezik mjaftë i madh”.
Drejtori i shkollës fillore Skënderbeu, Naim Kurtishi thotë se rasti është paraqitur në Ministri dhe fondet janë ndarë, por nuk sqaron se përse nuk ndërpritet mësimi që të evitohet rreziku i fëmijëve.
Si institucion kemi bë disa herë intervenime por nuk kanë qenë të suksesshme dhe kemi bë kërkesë në Ministri në formë urgjente dhe i falënderojmë që na pranuan kërkesën dhe shpejtë do intervenohet sepse ne si institucion i kemi siguruar mjetet – tha Naim Kurtishi, drejtor i SHF “Skënderbeu”.
Por, edhe përkundër kësaj deklarate të drejtorit Kurtishi, gjendja e këtillë e shkollës vazhdon vite me radhë, ndërsa problemi nuk zgjidhet. Ndërtimi i kësaj shkolle fillore zgjati dhjetë vite, dhe, edhe pse shkolla është lëshuar në përdorim para vetëm shtatë vitesh, e njëjta dita ditës ruinohet. Ekipi i televizionit Alsat tentoi të kontaktojë edhe ministrinë e Arsimit, por nuk morëm përgjigje. Në këtë shkollë fillore mësojnë rreth 300 nxënës.
Bashkim Sulejmani
Loading…