Ylvjena Taci: Trajtimi ortodontik për drejtimin e dhëmbëve

Ylvjena Taci: Trajtimi ortodontik për  drejtimin e dhëmbëve

Voltiza Duro – Jo pak persona kanë probleme me anën estetike dhe funksionale të dhëmbëve të tyre. Ortodontia është dega e stomatologjisë që i vjen në ndihmë të gjithë atyre që kanë shqetësime të tilla dhe dëshirojnë të kenë buzëqeshjen që gjithmonë kanë ëndërruar. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’, specialistja e ortodontisë Ylvjena Taci tregon se kur dhëmbët gjatë mbylljes së gojës, nuk okludojnë siç duhet, muskujt e nofullave si dhe artikulacioni temporomandibular bëhen të dhimbshëm dhe shpesh shfaqen patologji, të cilat mund të zgjasin gjithë jetës. Ajo shton se trajtimi ortodontik duke korrigjuar kafshimin ul rrezikun për sëmundje të artikulacionit. Taci shton se ka 3 lloje trajtimi ortodontik: aparat fix metalik, aparat fix qeramik si dhe maskerinat që janë totalisht transparente. Ndërkohë specialistja bën me dije se Smilelign (ortodonti e padukshme) është një metodë inovative që vjen si një paketë, me 3 procedura: drejtimin e dhëmbëve; zbardhje për njëtrajtësim të ngjyrës dhe Bonding për rregullimin e formave, këndeve ose madhësisë së dhëmbëve.





Si nisi rrugëtimi juaj në stomatologji?
Kam qenë fare e vogël, rreth moshës 5-6 vjeçare që shikoja dhëmbët e mi dhe të prindërve dhe më pëlqenin shumë. Isha shumë e kujdesshme dhe me higjienën, nuk mund të flija në darkë ose të ikja për në shkollë në mëngjes pa bërë larjen e dhëmbëve, duke hipur tek stoli im i vogël që të mundja të shihesha në pasqyrë. Përveç kësaj besoj se ka qenë dhe dentisti i familjes që ka pasur ndikim në atë çfarë unë e quaj ëndërr të jetës. Në moshën 10 vjeçare ishte hera e parë që kam marrë pjesë dhe asistuar vetëm për 5 minuta në një trajtim që po bënte nëna ime, dhe ishte diçka që vërtet më la mbresa gjatë fëmijërisë sime. Besoj se dëshira për të qenë stomatologe ka lindur bashkë me mua.

Sa kohë iu merr formimi akademik, duke qenë se stomatologjia është një profesion që avancon vazhdimisht?
Çdo mjek është i vetëdijshëm që shkencat mjekësore janë gjithmonë në zhvillim, e tillë është edhe fusha jonë. Ditë për ditë ndeshemi me materiale dhe metoda të reja pune, të cilat na e bëjnë profesionin edhe më të bukur. Konferencat e ndryshme si brenda dhe jashtë vendit, kurset, literatura bashkëkohore dhe specializimet na ndihmojnë që të kemi përgatitjen e duhur dhe të përqafojmë të renë, duke bërë të mundur që dhe pacientët tanë të jenë të kënaqur për shërbimet që ne ju ofrojmë.

Çfarë ju bën të jeni kaq e lidhur ngushtë me punën?
E bukura e stomatologjisë është se mund të merresh me shumëllojshmëri rastesh të ndryshme, asnjëherë nuk do të mërzitesh, sepse dita mund të jetë një variacion nga më e thjeshta tek më e vështira por kur në fund të ditës ke pasur sukses atëherë çdo mundim kthehet në kënaqësi. Çdo pacient na falë emocione të ndryshme, tension, kënaqësi, stres, gëzim, habi.

Specializimi juaj është Ortodontia. Mund të flisni pak rreth kësaj dege dhe përse shërben ajo?
Ortodontia është një degë e stomatologjisë e cila merret me drejtimin e dhëmbëve, duke përmirësuar anën estetike dhe atë funksionale. Kur dhëmbët gjatë mbylljes së gojës, nuk okludojnë siç duhet, muskujt e nofullave si dhe artikulacioni temporomandibular bëhen të dhimbshëm dhe shpesh shfaqen patologji, të cilat mund të zgjasin gjithë jetës. Trajtimi ortodontik duke korrigjuar kafshimin ul rrezikun për sëmundje të artikulacionit. Gjithashtu kur rreshtimi është në mënyrë korrekte, është më e lehtë të mbahet higjiena e duhur, gingivat janë më të shëndetshme dhe shëndeti i dhëmbëve po ashtu. Problemet me kafshimin, artikulacionin, devijimet vijnë si pasojë e problemeve ortodontike.

Si mund ta përcaktojmë nëse duhet të bëjmë trajtim ortodontik apo jo?
Vizita me ortodontin është shumë e rëndësishme. Në këtë kontroll specifik që kryejmë konstatohet problematika e pacientit. Për të dhënë një plan pune të saktë bëhet një radiografi dhe një cefalometri dhe, gjithashtu, bëhet skanimi i gojës ose merren masa për të bërë gati modelet e allçisë. Në fund të vizitës nëse pacienti bie dakord me planin e trajtimit atëherë mund të fillojë dhe trajtimi ortodontik. Sa më herët të evidentohen rastet, aq më i lehtë është për pacientin trajtimi.

A ka dhimbje një trajtim me aparat ortodontik?
Gjatë vendosjes së aparatit dhimbja është zero. Me ndihmën e një hapëse goje bëhet gati pacienti për të vendosur aparatin (braketat metalike ose qeramike). Procedura zgjat 20-30 minuta. Pasi përfundojmë pacienti do të vazhdojë si normalisht rutinën e përditshme, me higjienën dh regjimin ushqimor. Në momentin e parë që nis trajtimi ortodontik (këdo nga aparatet që do të zgjidhet) pacienti do të ndjejë pak shtrëngim tek pjesa e dhëmbëve. Kjo ndjesi do të zgjasë rreth 2-3 ditë. Më pas, sa herë që do të bëni aktivizimet e aparatit do të keni këtë ndjesi të lehtë.

Çfarë duhet të kemi parasysh kur kemi vendosur aparat?
Për pacientët që trajtohen me aparat ortodontik higjiena është pika kryesore që duhet të ndjekin, me produktet e përshtatshme dhe të rekomanduara nga ortodonti. Larja e dhëmbëve duhet të bëhet në mënyrë të rregullt dy herë në ditë (mëngjes dhe darkë), gjithashtu dhe shpëlarësi i gojës. Furçat e vogla interdentare bëjnë një pastrim më të mirë për pacientët që kanë aparat fix, ndërsa për pacientët me maskerina rekomandohet përdorimi i fillit interdentar.

A kemi metoda apo aparate të ndryshme për drejtimin e dhëmbëve?
Kemi 3 lloje trajtimi ortodontik: aparat fix metalik (me braketa metalike), aparat fix qeramik (me braketa të bardha ose zafir) dhe maskerina transparente. Dy llojet e parë të aparateve qëndrojnë të fixuar tek dhëmbët për aq kohë sa do të zgjasë trajtimi. Ndërsa maskerinat janë totalisht transparente dhe mbahen 22- 24 orë. Gjatë kohës që konsumohet ushqimi ato mund të hiqen. Aparatet ortodontike që të kryejnë funksionin siç duhet, është e nevojshme që të aktivizohen. Periudha e aktivizimit dhe vizitat në klinikë varen nga lloji i aparatit që keni zgjedhur dhe problemi ortodontik që do të zgjidhim.

Cila është metoda më inovative për drejtimin e dhëmbëve dhe a keni një sugjerim specifik?
Dëshira ime ka qenë që tu ofroj pacientëve shërbime dhe teknika që prezantohen për herë të parë në Shqipëri. Kemi arritur të sjellim shumë inovacion dhe ekskluzivitet në dentistri. Smilelign (ortodonti e padukshme) është një metodë që përdoret për të ndriçuar buzëqeshjet e pacientëve dhe për t’i bërë ata të ndjehen komfort gjatë trajtimit. Smilelign vjen si një paketë, që në vetvete ka 3 procedura: drejtimin e dhëmbëve tuaj në një kohë shumë të shkurtër dhe krejt të padukshme; zbardhje për njëtrajtësim të ngjyrës dhe Bonding për rregullimin e formave, këndeve ose madhësisë së dhëmbëve. Skaneri i fjalës së fundit gjithashtu është inovacion. Është shumë e lehtë tani të marrësh masën dhe të hartosh një plan pune. Më pas pacienti mund ta shikojë buzëqeshjen e tij të transformuar në një monitor. Smilelign redukton 2/3 e kohës që do të duhej me një trajtim normal ortodontik për të zgjidhur problemin tuaj. Shumë thjesht! Për 6 muaj ti ke buzëqeshjen që gjithmonë ke ëndërruar!

TAGS