Ymeri: Mogherini e pranoi se gjërat në Kosovë kanë ndryshuar dhe se Thaçi nuk është më negociatori i vetëm (Video)

Nënkryetari dhe deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, ka thënë se nga 8 janari i këtij viti qëndrimi i Federica Mogherinit ndaj Hashim Thaçit, si udhëheqës i bisedimeve, ka ndryshuar.

Ymeri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se zonjës Mogherini i është bërë me dije se Kosova tashmë ka një delegacion që do të udhëheq bisedimet.

“Ajo na ka thënë se e kupton që ka ndryshim në procedurën e vendimmarrjes në Republikën e Kosovës dhe kjo është përgjegjësi i juaja si e drejtoni dialogun. Pra na ka thënë në mënyrë eksplicite; ‘ne nuk e përcaktojmë kush e përfaqëson Kosovën dhe si e përfaqëson, por ju e përcaktoni një gjë të tillë’”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Anëtari i Ekipit Negociator ka thënë se nga ai moment më nuk është parë ndonjë aludim, siç ka qenë më parë, se vetëm Thaçi do të jetë i pranueshëm në bisedime.

“Pra gjërat kanë ndryshuar sepse ka vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe besoj se edhe zonja Mogherini e të tjerët e kuptojnë rëndësinë e një institucioni përfaqësues sovran të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Deputeti i PSD-së ka thënë se Ekipi Negociator në Bruksel dhe në Presidencë kanë kërkuar të dinë nëse dialogu është në ndonjë fazë të avancuar.

“Nga këto dy përgjigje zyrtare nuk ka asgjë konkrete sa i përket progresit në bisedime”, tha ndër të tjera Visar Ymeri, duke shprehur rezerva nëse u është thënë e vërteta apo jo për këtë çështje./Telegrafi/

TAGS