Zaev i dërgon letër Ivanovit: Tërhiqe vendimin pasi Maqedonia kthehet në mesjetë

Partia maqedonase në opozitë, LSDM e udhëhequr nga Zoran Zaev përmes një letre zyrtare i ka kërkuar Presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov, që urgjentisht të shfuqizojë vendimin për faljen e mbi 50 personave, në mesin e tyre të shumë funksionarëve të VMRO-DPMNE-së. Këtë kërkesë e ka publikuar në profilin e tij në Facebook lideri i kësaj partie Zoran Zaev, shkruan Zhurnal.

Kjo parti e informon Presidentin Ivanov, se vendimi i fundit për faljen e shumë politikanëve ka shkaktuar thellimin edhe më të madh të krizës politike.

“Vendimi për flaje i miratuar më 12 prill të vitit 2016 i cili shumë rënd e shkel kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë, e ka varrosur marrëveshjen e Përzhinos dhe i rrënon të gjitha perspektivat për kthimin e shtetit juridik”, shkruan mes tjerash në kërkesën e LSDM-së drejtuar Presidentit Ivanov.

Në këtë kërkesë mes tjerash thuhet se ky vendim antikushtetues shkakton ndasi të madhe mes qytetarëve dhe politikanëve, pasi me këtë vendim lirohen nga burgu politikanët të cilët kanë bërë vepra të rënda penale. Me këtë vendim Maqedonia kthehet në shekujt e mesjetës ku qytetarët në atë kohë janë ndarë në të “paprekshëm” dhe në “mjeran të thjeshtë”, thuhet në kërkesën e LSDM-së.