Alsat 2019-08-23T15:37:32+02:00
Nuk kanë arritur akoma në Kuvend propozimet e kryeministrit për rifreskimin e kabinetit qeveritar dhe emërimin e zëvendës ministrave të ri në disa ministri. Pas arkivimit të propozimeve nga ligjvënësi, ata duhet të procedohen dhe të vendosen në rend dite për t’u votuar në seancë plenare. Ashtu siç njoftoi Alsat ditë më parë, në postin e ministres së Financave është propozuar Nina Angellovska. Ajo është 31 vjeçare.
Nina Angellovska, ministre e ardhshme e Financave
• Drejtore ekzekutive dhe bashkëthemeluese e platformës “Grouper”
• Kryetare e Asociacionit Elektronik Komercial të Maqedonisë
• Këshilltare për biznes
• Marketing dhe reklamë
• E diplomuar në Universitetin Shën Kirilli dhe Metodi
• Në listën e “Forbes” ndër 30 ndërmarrësit e suksesshëm nën moshën 30 vjeçare
Kryeministri Zaev njoftoi edhe tre ndryshime të tjera. Në postin e zv. ministres së Arsimit Zaev propozon Elizabeta Naumovska, profesore e fizikës dhe në postin e zv. ministrit të Ekonomisë Kire Kolemishevskin, i diplomuar në Universitetin e Shën Kirillit dhe Metodit në Fakultetin e Drejtësisë. Në këtë post vjen nga Banka Maqedonase për Mbështetje dhe Zhvillim. Ndër emrat e propozuar është edhe Nexhat Mehmedoviq si zv. ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.
Mesazhi është që të rinjtë të punojnë, të angazhohen, të jenë të dukshëm dhe të luftojnë në vendin tonë. Ja edhe pozitat e larta janë të hapura për të gjithë – tha Zoran Zaev, kryeministër.
Në qershor u bënë ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar me ndryshimin e disa ministrave. Posti i ministrit të Financave që atëherë ka qenë bosh.
Fatlume Dervishi
Loading…