Alsat 2019-05-16T17:56:38+02:00
Shoqëria jonë me të vërtetë duhet të çlirohet nga stigma dhe diskriminimi drejtë personave me pengesa, por edhe drejtë të gjithë të tjerëve të cilët në këtë apo në atë mënyrë dallohen nga ne, theksoi kryeministri Zoran Zaev në konferencën e sotme ndërkombëtare shkencore-profesionale “70 vite – edukim të organizuar, rehabilitim dhe punësim të personave me pengesa në zhvillim në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Si nikoqir i konferencës e cila u mbajt në Manastir, kryetari i Qeverisë, përkujtoi shembujt për përfshirje të drejtpërdrejt dhe punë në institucione publike të personave me pengesa dhe bëri thirrje, që të gjitha institucionet ta rrisin numrin e personave të rinj të punësuar me pengesa në të dy sektorët.
“Bëj thirrje për rritjen e vetëdijes së shoqërisë gjithëpërfshirëse për këta persona. Ata janë të njëjtë si edhe të gjithë ne, vetëm na nevojitet mbështetje më e madhe që të mundet që edhe ata të shkollohen, e pastaj edhe të punojnë. Sepse janë të paktë shembujt ku institucione publike dhe të tjera punësojnë persona me pengesa, e shfrytëzoj këtë rast dhe dërgoj apele që të punësohen sa më shumë që është e mundur persona me pengesa në zhvillim, e kjo nënkupton të gjitha institucionet qeveritare nga lartë poshtë ta bëjnë këtë”, theksoi kryeministri Zaev.
Porositë të cilat çdo ditë i transmetojmë si edukatorë, doktorë, ekspertë ose politikanë, shtoi ai prekin deri te të gjithë dhe për këtë ato porosi duhet të jenë porosi të unitetit, për pranimin dhe respektimin e diveristeteve.
Në konferencën ndërkombëtare shkencore- profesionale në Manastir fjalim patën edhe ministrat Milla Carovska, Arbër Ademi dhe Venko Filipçe.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska përkujtoi se reforma sociale po vazhdon dhe se ajo është gjithëpërfshirëse.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, paralajmëroi zgjidhje ligjore për arsimin fillor i cili, siç tha, jep përparësi dhe parasheh më shumë risi në lidhje me edukimin e nxënësve me pengesa. Me ligjin e ri, tha Ademi, është paraparë që në mënyrë shtesë të angazhohen dhe të punojnë edhe asistentë arsimorë, me çka do të rritet shkalla e përfshirjes në të gjitha shkollat.
Porosi për aktivitet të përbashkët dhe projekte konkrete në tubimin ndërkombëtar në Manastir dërgoi edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe paralajmëroi krijimin e kushteve për qasje më të madhe dhe më adekuate të personave me pengesa deri te shtëpitë e shëndetit.
Konferenca ndërkombëtare shkencore-profesionale “70 vite – edukim të organizuar, rehabilitim dhe punësim të personave me pengesa në Republikën e Maqedonisë së Veriut” përfundon të shtunën, deri kur do të prezantohen të gjitha punimet shkencore të publikuara në Zbornik./MIA