Opozitës mund t’i plotësohet kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare në rast se kandidati për president i mbështetur nga pushteti, Stevo Pendarovski humb zgjedhjet presidenciale. Ishte kjo fjala që kryeministri Zoran Zaev i dha liderit të opozitës Hristijan Mickoski në duelin televiziv të një dite më parë, në këmbim të fjalës së Mickoskit se partia e tij nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale në rrethin e dytë.
Po, do të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse kërkon opozita, në rast se humb Stevo Pendarovski – tha Zoran Zaev, kryeministër.
“Unë disa herë kam bërë thirrje dhe ja do të bëj përsëri që qytetarët në mënyrë masive të dalin të votojnë edhe në rrethin e parë edhe në rrethin e dytë dhe të votojnë për kandidaten Gordana Siljanovska Davkova – u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, në duel ishte i paqartë se cila do të jetë e ardhmja e Marrëveshjes së Prespës dhe emrit të ri kushtetues të vendit në rast se partia e tij vjen në pushtet.
Ne nuk jemi talibanë që gjithçka që ka qenë pas nesh ta fshimë, ta grisim, ta djegim ose ta kundërshtojmë ashtu siç bën Zaev por do të punojmë që pasojën e tërësishme që është rezultat i kësaj marrëveshje ta përmirësojmë dhe këtë kurrë nuk do të pushojmë ta bëjmë. Shtetet kapitullojnë dhe vetëm një vit më pas pavarësohen dhe ribëhen përsëri. Asgjë nuk ka përfunduar. Të gjithë ata që u thonë se gjithçka ka përfunduar nuk është e vërtetë – deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Thuajeni! Thuajeni a do ta shfuqizoni marrëveshjen ose jo? Do ta ktheni R. e Maqedonisë që të mos jetë më e Maqedonisë së Veriut? Thuajeni! – tha Zoran Zaev, kryeministër.
Ekspertët e kontaktuar nga Alsat konfirmojnë se juridikisht marrëveshja mund të shfuqizohet por mbështetja që i kanë dhënë asaj BE dhe NATO, në rast të prishjes së marrëveshjes, do të nënkuptonte bllokim të vendit nga këto struktura si dhe të marrëdhënieve diplomatike. Për më tepër, për prishjen e marrëveshjes do të nevojitej edhe pëlqimi i Greqisë, një shumicë prej dy të tretave në Kuvendin e vendit dhe një shumicë me Badenter.
Fatlume Dervishi