Zahir Shabani – veprimtar i dalluar i Gjeneratës së Republikës

Zahir Shabani – veprimtar i dalluar i Gjeneratës së Republikës

Vitet më të vështira padyshim se janë vitet e 90-ta, kur populli shqiptar i Kosovës përjetoi terrorin e paparë nga Serbia pushtuese! 

Sportistët ashtu si munden u gjetën, u organizuan dhe i zhvilluan garat e Republikës së Kosovës, por vazhdimisht të kërcënuar nga regjimi serb. Gjeneratës së Republikës i takon edhe Zahir Shabani. 

Ish boksieri i Gjeneratës së Artë të klubit Prishtina në vitet e 80-ta (pesë herë kampion i ish Jugosllavisë dhe gjashtë nënkampion), kontriboi në vitet e 90-ta në çdo aspekt. 

Ai nuk kurseu asgjë nga xhepi jo vetëm për boksin por kudo që shtrohej nevoja, duke kontribuar për sportin e çdo sferë tjetër. 

Njeriu që ndihmoi boksin, sportin dhe po ashtu ka qenë edhe nënkryetar i Federatës së Boksit të Kosovës (1995-2002).
Po ashtu ishte edhe kryetar i Këshillit Organizativ të turneut të boksit në Preshevë në vitin 1995, pastaj në vitin 1996 turneut ‘7 Shtatori’ në Komogllavë të Ferizajt, në vitin 1997 edhe në Kaçanik. 

Pas rënies në burg të kryetarit të klubit Kastrioti, Bajrush Xhemaili, në vitin 1995, Shabani mori përsipër të gjitha përgjegjësitë në klubin e boksit ferizajas. Ai nga viti 1995 e deri në përfundim të luftës, e udhëhoqi Kastriotin. 

Shabani ka qenë halë në sy për pushtuesin serb! Ai përkundër shantazheve e kërcënimeve që i vinin nga kuzhina e Beogradit, asnjëherë nuk u ndal në shërbim të shtettformimit të Kosovës.

Sot është krenar për gjithë atë që ka bërë për Kosovën dhe edhe më i lumtur që sot e sheh sportin duke frymuar lirshëm, të rinjtë e të reja duke lozur në stadiume dhe palestra sportive, të cilat në vitet e 90-ta ishin të uzurpuar nga regjimi kriminal serb.