2 Janar 2019 / 15:51
Skandali i përgjimeve masive të jashtëligjshme që solli krizën politike dhe si pasojë, ndryshimin e pushtetit, i bëri të patjetërsueshme reformat në sistemin e sigurisë dhe zbulimit. Në fillim të 2018-tës u publikuan zyrtarisht versionet e para të propozim-ndryshimeve ligjore. Më 1 nëntor, filloi me punë Agjencia Teknike Operative, për të cilën u tha se do të kishte të drejtën ekskluzive të ndjekjes së telekomunikimeve.
U siguroj se nuk ekziston as mundësi teorike dhe as praktike për keqpërdorim të mekanizmave për masat e veçanta hetuese. Me përgjegjësi deklaroj se nuk do të na përsëriten “bombat” dhe nuk do të kemi afera të tilla si në të kaluarën. Mund të garantoj se asnjëfarë ndikimi as nga pushteti dhe as nga opozita nuk ekziston”- pohoi Zoran Angellovski, drejtor i Agjencisë Teknike Operative.
ATO-ja paraqet organ ndërmjetësues, përçues të sinjalit mes operatorit dhe institucionit që kërkon përgjimin. Për herë të parë, përveç Ministrisë së Brendshme, materiale të përgjuara do të mund të sigurojnë edhe Policia financiare dhe Drejtoria e Doganës. Puna e ATO-së është teknike dhe të punësuarit nuk kanë qasje te përmbajtja e bisedave të përgjuara. Reformat do të vazhdojnë me transformimin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, organ nga i cili gjeneruan të ashtuquajturat “bomba”. Në vend të saj do të formohet Agjencia për Zbulim të Brendshëm, si organ i pavarur nga Ministria e Brendshme. Por, këtij institucioni nuk i është marrë e drejta e përgjimit, edhe pse një gjë e tillë ishte premtuar për të shmangur keqpërdorimet.
Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht DSK-ja nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë në pajisjen për ndjekjen e komunikimeve”- tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Propozim/ligji për formimin e Agjencisë për zbulim të brendshëm, e cila do të zëvendësojë DSK-në, parashikon që Agjencia e re të përgjojë edhe pa ndërmjetësimin e ATO-së.
Masa për ndjekjen dhe incizimin e komunikimeve telefonike dhe të tjerave elektronike, e parashikuar me Ligjin për ndjekjen e komunikimeve, mund të realizohet edhe me ndihmën e pajisjeve të posaçme teknike të cilat mundësojnë zbatimin e masës pa ndërmjetësimin e ATO-së dhe operatorëve”- theksuan nga Agjencia për Zbulim të Brendshëm.
Agjencia për Zbulim të Brendshëm pritet të marrë miratimin e deputetëve nga fillimi i muajit shkurt të 2019-tës. Por propozimin e shoqërojnë shumë paqartësi. Nuk është precizuar se mbi çfarë baze drejtori i saj mund të kërkojë përndjekjen e dikujtë dhe as mënyra se si do të bëhet bartja dhe selektimi i të dhënave nga DSK-ja, te Agjencia për zbulim të brendshëm. Reagimet e para kanë ardhur për arsyen se pse Agjencia nuk parashihet të ketë zëvendës/drejtor me kompetenca të plota për të zëvendësuar drejtorin dhe as dispozitë për përfaqësim të drejtë etnik në pozitat udhëheqëse.
Fatlume Dervishi