15 Janar 2019 / 14:29
Ligji për përdorimin e gjuhëve që tashmë ka marr formën e prerë parasheh avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, apo siç thuhet të gjuhëve të bashkësive etnike që përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës në Maqedoni.
LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE
Neni 1
(1) Në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.
(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuhë shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabet i saj, në përputhshmëri me ketë ligj.
(3) Në të gjitha organet të pushtetit qendror, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, drejtoritë, komisionet, personat juridik të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare përskaj gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj.
Ligji i miratuar parasheh që në institucione të nivelit qendror si në Kuvend, Qeveri, organet e pushtetit gjyqësor dhe institucione tjera, si në të folur ashtu edhe në të shkruar të përdoret edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
Sipas ligjit në mbledhjet e qeverisë gjuhë zyrtare përskaj maqedonishtes do të jetë edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë. Edhe këtu parashihet që në rast se me seancat udhëheq ndonjë anëtar i saj që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, të mund të përdor në gjuhën që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë. Të gjitha vendimet e mbledhjeve të qeverisë, stenogramet dhe aktet tjera do të publikohen në dy gjuhë.
LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE
Neni 5
(1) Në punën e Qeverisë së Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik si dhe gjuha që e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj.
(2) Seancat e Qeverisë së Maqedonisë udhëhiqen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik.
(3) Kur me seancat e Qeverisë, komisionet si dhe kolegjiumet udhëheq zyrtar i zgjedhur apo i emëruar i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase dhe të cilën gjuhë e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë, të njëjtat i udhëheq në atë gjuhë dhe shkrim.
(4) Zyrtar i zgjedhur ose i emëruar i cili flet gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase, të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë, në seanca të Qeverisë, në komisione të qeverisë dhe në kolegjiume flet në gjuhën e tij.
(5) Zyrtari i zgjedhur ose i emëruar i cili flet gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase, të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM, materialet i pranon në kohë gjegjësisht i dorëzon në kohë në gjuhën dhe alfabetin e tij që t’i shërbejnë gjatë seancave të Qeverisë, në komisione ose në kolegjiume.
(6) Stenogramet nga seancat e Qeverisë, seancat e komisioneve dhe kolegjiumeve si dhe materialet dhe dokumentet tjera që jepen dhe ruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabetin e saj.
(7) Të gjitha aktet që sjellë Qeveria e Maqedonisë jepen dhe shpallen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabetin e saj.
Përdorimi i shqipes gjen avancim edhe në institucionet gjyqësore, procedurat hetimore, para-hetimore, ekzekutive, administrative, aktet noteriale, librin amëz, certifikata e lindjes si dhe në procedura tjera. Në dy gjuhë jepen edhe dokumentet personale, por me kërkesë të poseduesit të saj. Në dy gjuhë publikohen edhe mbishkrimet e institucioneve në nivel qendror dhe në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja. Sipas nenit 18 emrat e rrugë, sheshet, urat dhe objekte tjera infrastrukturore në komunat ku së paku 20 për qind e popullatës flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe në Shkup, shkruhen në maqedonisht dhe në gjuhën që e flasin paku 20 për qind e popullatës. Gjuha shqipe gjen zbatim edhe në vendkalimet kufitare dhe në aeroportet por në ato rajone ku së paku 20 për qind e popullatës flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja.
Dygjuhësia përdoret edhe në uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe punonjësve shëndetësor, në komunat ku mbi 20 për qind e popullatës flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, që nënkupton në gjuhën shqipe, ku përfshihet edhe Qyteti i Shkupit. Bankënotat dhe pullat postare nuk do të jenë në dy gjuhë, por ato duhet të përmbajnë simbole që paraqesin trashëgiminë kulturore të bashkësive etnike që flasin së paku 20 për qind gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja. Zbatimi në praktikë i ligjit të miratuar pritet të bëhet nga dy institucione, agjencia për zbatimin e gjuhëve dhe inspektorati për përdorimin e gjuhëve. Agjencia do të financohet nga qeveria me një buxhet vjetor prej 1.7 milion euro. Është paraparë që një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të gjitha institucionet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e ligjit. Për moszbatim të ligjit janë paraparë dënime prej 4 deri më 5 mijë euro për institucionet dhe 30 për qind të vlerës për personat zyrtar dhe përgjegjës në organet shtetërore.
Isuf Kadriu
Loading…