Zbulohet projekti i madh i FFK-së: 100 fusha futbolli në Kosovë

Zbulohet projekti i madh i FFK-së: 100 fusha futbolli në Kosovë
21:36 | 18 Tetor 2019

Në tentim për ta zhvilluar futbollin edhe më shumë në Kosovë, Federata e Futbollit e ka bërë plan t’i ndërtojë 100 fusha stërvitore futbolli në të gjitha qoshet e vendit, për të gjetur sa më shumë talente.

Sukseset e ekipit kombëtar të Kosovës, përkundër moshës së re të shumicës së lojtarëve, kanë bërë që të ketë përqendrim edhe më të madh te talentet e futbollist.

Për këtë arsye, siç ka zbuluar Agim Ademi ekskluzivisht në emisionin “Favorit” në T7, FFK-ja ka planifikuar t’i ndërtojë 100 fusha të futbollit në Kosovë, në mënyrë që të gjithë futbollistët e rinj të talentuar ta kenë mundësinë ta shfaqin aftësinë e tyre.

“E kemi marrë një vendim me Komitetin Ekzekutiv. E kemi një ofertë për qeverinë dhe për komunat. Federata e Futbollit propozon komunat dhe qeverinë që të bëhemi partnerë të përbashkët, siç kemi punuar dhe e kam projektin për 100 fusha të futbollit në Kosovë”, ka zbuluar Ademi në “Favorit” në T7.

“Aty do të jetë Federata pjesëmarrëse gjithsesi. Çdo komunë e ka pjesën e vet, qeveria pjesën e vet e Federata e Futbollit pjesën e vet, në mënyrë që në çdo cep të futbollit ta kemi nga një fushë, duke e parë talentin që e kemi”.

“S’ka lidhje a është qytet, fshat apo ku – aty ku ka komunitet që mundet të luajë, propozoj që 100 fusha të futbollit t’i bëjmë, fusha stërvitore e kam fjalën, jo stadiume. Sapo të krijohen institucionet, do ta shkoj ta propozojë këtë plan. Nëse s’marrim mbështetje, do t’ia propozojmë UEFA-s e FIFA-s”.

TAGS