Zbulohet raporti shpjegues i Metës për Komisionin e Venecias

Zbulohet raporti shpjegues i Metës për Komisionin e Venecias

Pasditen e sotme Presidenti Ilir Meta zbuloi një raport prej 55 faqesh që i ka dërguar Komisionit të Venecias lidhur mbi vendimet dhe qëndrimet e tij që nis nga caktimi i datës së parë të zgjedhjeve me dekretin e 30 qershorit, dosjet penale 184 dhe 339, përshkallëzimin e krizës politike dhe nisjen e protestave.

Më tej ai vijon me mosregjistrimin e opozitës për zgjedhjet e 30 qershorit, anulimin nga Presidenti i Republikës të datës 30 qershor; reagimet e kryeministrit dhe maxhorancës ndaj këtij vendimi; procesi fiktik i Kolegjit Zgjedhor; deri të caktimi i datës 13 tetor si data e re e zgjedhjeve lokale nga Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës në Raportin Shpjegues dërguar Komisionit të Venecias i dërgon edhe përfundimet e OSBE-ODHIRIT, të cilat nxjerrin me dhjetëra probleme që patën zgjedhjet e njëanshme të maxhorancës socialiste.

Arsyet e Presidentit për zhdekretimin e 30 qershorit

Në kushtet e një krize të rëndë të paprecedentë politike, kushtetuese, institucionale dhe përfaqësimi ku: 1. Palët politike u vendosën në një kurs konstant përplasjeje dhe refuzuan dialogun;

2. Opozita hoqi dorë në bllok nga mandatet parlamentare. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës u dorëhoqën dhe refuzuan në bllok mandatet parlamentare.

3. Opozita parlamentare aktuale përftoi mandatet në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe procedurave legjislative;

4. Parlamenti nuk u plotësua me numrin kushtetues të 140 deputetëve për shkak të shterimit të listave të kandidatëve nga partitë e opozitës;

5. Parlamenti humbi rolin mbikqyrës ndaj ekzekutivit;

6. Parlamenti dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzojnë njohjen e autoritetit kushtetues të Presidentit të Republikës;

7. Gjykata Kushtetuese është jo funksionale prej 18 muajsh;

8. Gjykata e Lartë është jo funksionale;

9. Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm u zgjodh në mënyrë të njëanshme antikushtetuese;

10. Prokuroria nuk veproi për zbardhjen e krimeve zgjedhore të konsumuara në vitet 2016 – 2017 – Dosjet 184 (Bashkia Dibër) dhe 339 (Bashkia Durrës);

11. Opozita refuzoi regjistrimin si konkurrent zgjedhor për zgjedhjet lokale;

12. Mazhoranca këmbënguli të garonte e vetme për të marrë në administrim të 61 bashkitë e vendit dhe këshillat e tyre;

13. Zhvillimi i protestave periodike kombëtare të shoqëruara me akte dhune dhe vandalizmi si dhe reagim shproporcional nga forcat e rendit, me pasojë plagosje të shumta nga policia e shtetit dhe qytetarët;

14. Përdorimi i gjuhës armiqësore dhe thellimi i ndasive çoi në rritjen e frustrimit shoqëror dhe emigracionin masiv;

15. Rritja e pasigurisë ndikoi në ekonominë e vendit. 16. Refuzimi i Kryeministrit për të pranuar ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës e në vecanti përcaktimin e një date të re gjithëpërfshirëse përvec 30 qershorit;

http://president.al/wp-content/uploads/2019/09/001-RAPORT-SHPJEGUES.pdf