Zëvendësministrja Vuniqi kërkon mbështetjen e Bavarisë për liberalizimin e vizave

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Rejhan Vuniqi, filloi një vizitë zyrtare dy ditore në Bavari, ku fillimisht u prit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Bavarisë nga Sekretari i Shtetit, Gerhard Eck.

“Temë kryesore e këtij takimi, që u ngrit nga zëvendësministrja, Vuniqi, ishte çështja e liberalizimit të vizave.

Në fillim të takimit, zëvendësministrja, Vuniqi, e ka falënderuar shtetin dhe popullin gjerman për të gjithë mbështetjen, që i kanë ofruar dhe vazhdojnë t’i ofrojnë Kosovës.

Më pas, ajo ka folur për rëndësinë e heqjes së vizave për shtetasit kosovarë, duke kërkuar, që edhe në këtë proces Gjermania t’i qëndroj afër Kosovës, siç e ka dëshmuar gjatë gjithë rrugëtimit të kosovarëve drejt paqes dhe shtet-ndërtimit”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje, ajo ka ritheksuar se ky proces varet prej qëndrimeve të shteteve anëtare, megjithatë mbështetja e shtetit gjerman është shumë e rëndësishme dhe thelbësore në këtë proces.

“Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje shteti i vetëm i izoluar në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Vuniqi.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e palës gjermane në këtë takim kanë premtuar se Kosova do ta ketë mbështetjen e parezervë në procesin e liberalizimit, edhe pse e tëra nuk varet nga landi i tyre.

Gjatë takimit është diskutuar edhe mbi rolin, kontributin dhe integrimin e shtetasve kosovarë në shoqërinë dhe Institucionet gjermane, shqyrtimin e mundësisë për lehtësimin e procedurave të shtetësisë dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.

Në fund të takimit, zëvendësministrja Vuniqi e ka ftuar Sekretarin Eck për vizitë në Kosovë për t’u njohur nga afër me realitetin dhe përparimet, që janë bërë falë edhe ndihmës gjermane.
Bajerni është njëri nga 16 landet e Gjermanisë, që për nga popullsia zë vendin e dytë, ndërsa gjeografikisht është landi më i madh në Gjermani.

Vlerësohet se numri i përgjithshëm i diasporës tonë në Bajern është mbi 60 mijë. /Telegrafi/

TAGS