Një milion e 729 mijë e 189 persona të mërkurën më 15 korrik nga ora 07:00 e mëngjesit do të ju drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re parlamentare prej ku do të burojë edhe Qeveria e re. Të drejtë vote gjithsej në këto zgjedhje kanë një milion e 814 mijë e 263 votues, por një pjesë prej tyre kanë votuar më 13 korrik, ndërsa pjesa tjetër votojnë më 14 korrik. Persona të cilët janë shpërngulur ose jetojnë jashtë vendit në listat e posaçme zgjedhore janë regjistruar 83.054 votues. Në listën e posaçme zgjedhore për personat në burg dhe në paraburgim janë regjistruar 1.657 votues, në shtëpitë e të moshuarve 357 dhe gjashtë persona konsiderohen si persona të shpërngulur brenda vendit.
Në Listën e Votuesve bëjnë pjesë edhe personat të cilët deri në ditën e zgjedhjeve do të mbushin 18 vjet, si dhe të gjithë qytetarët tanë të cilët nëse vijnë në vend deri në ditën e votimit do të mund të votojnë. Të drejtën e votës do të mund ta realizojnë vetëm ata persona që kanë letërnjoftime dhe pasaporta të vlefshme. Më së shumti votues të regjistruar ka në Komunën e Kumanovës, mbi 90 mijë qytetarë me të drejtë vote. Në 90 vendvotime në shtetin tonë ka më pak se 10 votues dhe sipas Kodit Zgjedhor, këta votues do të mund të votojnë në vendvotimin më të afërt.
Në këto zgjedhje marrin pjesë 15 parti politike dhe koalicione dhe garojnë për 120 ulëve në Kuvend. Të hënën ka filluar heshtja parazgjedhore e cila zgjati tre ditë, ndërsa fushata parazgjedhore filloi më 24 Qershor dhe zgjati deri të dielën më 12 korrik. Këto janë zgjdhjet e para në historinë e vendit që nuk do të zhvillohen ditën e dielë, por të mërkurën, ndërsa vendimi është marrë në përputhje me situatën e krijuar pas paraqitjes së pandemisë.
Procesi zgjedhor do të monitorohet nga mbi 2000 vëzhgues vendor dhe të huaj. Nga misionet ndërkombëtare 47 janë nga OSBE / ODIHR, 40 nga Ambasada e SHBA, IFES ka katër, Ambasada Franceze 13, Ambasada Hungareze 10, Shqipëria 4, Austri dhe Zvicra 3, Bullgaria dhe Mali i Zi nga 2 dhe ambasadat e Holandës dhe Kanadasë nga një vëzhgues. Për zgjedhjet në terren do të raportojnë 55 gazetarë të huaj nga gjithsej 15 media rajonale dhe ndërkombëtare, të cilët morën akreditime nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.