Zgjedhjet në universitete, Marash Logu: Urdhri i MASR, i paligjshëm

Zgjedhjet në universitete, Marash Logu: Urdhri i MASR, i paligjshëm

Voltiza Duro – Në 30 korrik pritet të zhvillohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese të universiteteve publike në vend, në një kohë që polemika të shumta po shoqërojnë këtë proces. Studentët e cilësojnë urdhrin e MASR për caktimin e datës së zgjedhjeve si të paligjshëm dhe kanë ngritur një padi pranë Gjykatës Administrative për çështjen. Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, Marash Logu, student i Fakultetit të Drejtësisë dhe President i Shoqatës Evropiane të Studentëve të Drejtësisë thotë se asnjë universitet nuk mund të zhvillojë procesin zgjedhor brenda 30 ditësh dhe shton se anëtarëve të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve, pranë Universitetit të Tiranës, u ka mbaruar mandati e si rrjedhojë veprimet që ata ndërmarrin, nuk mund të jenë legjitime.



A janë legjitime zgjedhjet që do të mbahen më 30 korrik për autoritetet drejtuese në universitetet publike?
Urdhri i ministres së Arsimit për caktimin e datës së zgjedhjeve në 30 korrik është i paligjshëm pasi nuk mbështetet në asnjë nen, paragraf apo germë të ligjit për arsimin e lartë. Po të lexoni nenet 7 dhe 131 të ligjit për arsimin e lartë, të cituara në urdhrin e ministres, asnjëri prej tyre nuk e parashikon shprehimisht këtë kompetencë të Ministres. E drejta e Ministrit të Arsimit për të caktuar datën e zgjedhjeve ka qenë e parashikuar në ligjin e vitit 2007 (neni 21, parag.9), por me ligjin e ri kjo e drejtë iu ka kaluar vetë universiteteve, duke qenë se hartojnë në mënyrë të pavarur rregulloret e zgjedhjeve. Edhe në këtë rast, Ministria e Arsimit, nga padija ose me dashje, ka ndërhyrë në autonominë e universiteteve, siç ka bërë shpeshherë në proceset e arsimit të lartë. Së dyti, urdhri për mbylljen e procesit zgjedhor brenda një muaji 30 qershor – 30 korrik, krijon një situatë të paprecedentë paligjshmërie, pasi asnjë universitet publik—pa shkelur rregulloren e zgjedhjeve—nuk do të mundë të mbyllë procesin zgjedhor brenda një muaji. Kjo pasi rregulloret e zgjedhjeve kërkojnë minimalisht dy javë kohë për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore, përkatësisht zgjedhja dhe konstituimi i komisioneve zgjedhore, regjistrimi i kandidatëve, shpallja e kandidaturave, fushata zgjedhore, përgatitja e listave dhe materialeve të tjera zgjedhore, shtuar këtij afati dy javor, edhe periudha një mujorë për zhvillimin e fushatës zgjedhore. Pra, nëse të gjitha afatet do të respektoheshin me përpikëri, do të duhej minimalisht një muaj e gjysmë për të garantuar një proces të ligjshëm. Për shembull, Rektori i Universitetit të Tiranës ka informuar zyrtarisht Ministrinë e Arsimit se në datën 30 korrik është e pamundur të mbahen zgjedhje të rregullta e të ligjshme në UT.

A ka mbaruar mandati i anëtarëve të KIZ?
Mandati i Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, ashtu si çdo organi tjetër që zgjidhet, ka përfunduar. Rregullorja e zgjedhjeve në UT parashikonte që brenda tre ditëve nga momenti i shpalljes së fillimit të procesit zgjedhor, Rektori i universitetit në bashkëpunim me Senatin Akademik duhet të formonin KIZ-in e ri. Siç e përmenda pak edhe më sipër, përpjekja e Rektorit të UT për të formuar KIZ-in, në përputhje me Rregulloren e zgjedhjeve, dështoi për shkak të mungesës së kandidaturave, dhe për këtë është informuar zyrtarisht edhe Ministria e Arsimit. KIZ-it të zgjedhur në vitin 2016 i ka përfunduar detyra dhe ai i ka ushtruar detyrat e tij në kundërshtim me nenin 6 të Rregullores së zgjedhjeve. Por, edhe sikur ky KIZ të ishte i ligjshëm, sërish ai ka kryer veprime të cilat janë të paligjshme. Një ndër këto veprime është uzurpimi i një kompetence ekskluzive që i takon Rektorit të UT, dhe ka të bëjë me shpalljen e fillimit të procesit zgjedhor. Këtu duhet të sjellë në vëmendje faktin se Rektori i UT, me të drejtë apo pa të drejtë këtë duhet ta thotë gjykata, ka vendosur shkarkimin e pesë pedagogëve, anëtarë të KIZ. Për sa kohë kjo çështje nuk sqarohet, legjitimiteti i këtyre anëtarëve është i cenuar.

Do të kenë mundësi studentët të jenë pjesëmarrës në zgjedhje?
Zhvillimi i zgjedhjeve më 30 korrik përjashton tre të pestat e studentëve nga e drejta ligjore për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në organet drejtuese të universiteteve publike. Kjo pasi referuar vetë urdhrit të Ministres së Arsimit Nr. 104/2020, studentëve e dy viteve të para bachelor dhe vitit të parë master do të kthehen në universitete në muajin gusht, çka do të thotë se këto tre vite nuk do të jenë kthyer akoma në kohën që zhvillohen zgjedhjet. Pa folur këtu, për faktin që Shqipëria vazhdon të jetë zyrtarisht në gjendjen e epidemisë, numri i rasteve të prekur me COVID-19 dhe viktimave po rritet çdo ditë, dhe autoritetet janë duke vlerësuar mundësinë e karantinimit sërish të qytetarëve. Një urdhër që iu mohon studentëve të drejtat zgjedhore të garantuara nga nenet 37, 39 dhe 42 të ligjit për arsimin e lartë, nuk mund të jetë veçse i paligjshëm. Nëse ministria do të bëjë sërish veshin e shurdhër, atëherë studentët do të përdorin çdo mjet të ligjshëm reagimi ndaj këtyre zgjedhjeve të pakuptimta, që më shumë se zgjedhje janë shndërruar në noterizimin e disa emrave, që bëjnë rokadë apo përsërisin veten në të njëjtat pozicione prej 30 vitesh.

Si e shpjegoni këtë nxitim nga ana e MASR për të zhvilluar zgjedhje në një situatë të tillë pandemie?
Fjala e para që më vjen në mendje është papërgjegjshmëri totale. Kjo pasi Ministria e Arsimit u detyrua që të merrte një sërë masash për të ndaluar apo reduktuar praninë e studentëve në universitete për shkak të pandemisë, qoftë edhe gjatë kohës që duhet të zhvillojnë provime, për shkak të rrezikut të rritur për përhapjen e COVID-19. Ndërkohë, që asnjë masë, asnjë manual, asnjë strategji, asnjë plan nuk është miratuar se si do të menaxhohet procesi zgjedhor në universitetet publike me qëllim që të minimizohet rreziku i përhapjes së virusit COVID-19. Vetëm me një nivel të lartë papërgjegjshmërie, që sigurisht nuk udhëhiqet nga interesi më i lartë i studentëve dhe pedagogëve, mund ta shpjegoj nxitimin e ministrisë për të zhvilluar zgjedhje në një kohë që e gjitha bota është angazhuar në luftën kundër pandemisë.
Ju keni depozituar edhe një padi kundër paligjshmërisë së zgjedhjeve ku seanca është shtyrë në shtator. Mesa duket edhe gjykata nuk po funksionon siç duhet. Komenti juaj mbi këtë.

Ne kemi depozituar një padi, ku kemi kërkuar paligjshmërinë e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës. Më 10 korrik kishim seancën e parë dhe kërkuam pezullimin e zgjedhjeve deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e gjykatës. Por, kjo e fundit në mënyrë të habitshme, vendosi të mos shprehej mbi këtë kërkesë, pavarësisht se e kishte detyrim ligjor sipas legjislacionit për gjykatat administrative. Ndërkohë, seanca e ardhshme u vendos në datën 18 shtator, pavarësisht se ne e informuam që zgjedhjet do të zhvilloheshin në 30 korrik. Qartazi, edhe sistemi gjyqësor ku ne kërkuam të garantonim të drejtat tona nuk funksionoi siç duhet, ndoshta edhe me presionin e disa palëve që janë të interesuara drejtpërdrejtë për t’i shkuar deri në fund paligjshmërisë së tyre.

Cilat do të jenë hapat e mëtejshëm që do të ndërmerrni?
Ne do të vazhdojmë kundërshtimin e zgjedhjeve më 30 korrik në çdo hapësirë dhe platformë të mundshme. Nga ana tjetër, studentët dhe Qëndresa Qytetare i kanë kërkuar parlamentit të zhvillojë një interpelancë urgjente me ministren e Arsimit për çështjen e zgjedhjeve në universitetet publike. Kjo kërkesë është zyrtarizuar tashmë nga 7 deputetë të Kuvendit. Për më tepër, ne jemi duke përgatitur një letër për Presidentin e Republikës, të cilit do t’i kërkojmë që si autoriteti që dekreton rektorët e rinj, të dalë me një qëndrim publik se ai nuk do të pranojë të certifikojë zgjedhje në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë dhe rregulloret e brendshme të universiteteve. Ndërsa, betejën për ligjshmëri në Universitetin e Tiranës do ta vazhdojmë në Gjykatën Administrative të Tiranës, e cila sado të vonohet jemi të bindur se në fund do të vendosë në favor të së drejtës.