Zhvillime të papritura kanë ndodhur brenda LDK-së.
Është deputeti i këtij subjekti, Driton Selmanaj ai i cili ka kritikuar ashpër nënkryetaren e partisë, Vjosa Osmanin, për qasjen e kësaj të fundit karshi koalicionit me VV-në, shkruan lajmi.net.
Në intervistën “Saktë” e cila transmetohet nga ora 18:00, ai ka thënë se Vjosa Osmani është shembull i gabuar i politikbërjes.
Sipas tij, duke parë veprimet e Osmanit kundër rrymës së partisë, është më e udhës që Osmani të largohet nga partia.
Postimi i plotë i gazetarit Xhevdet Pozhari lidhur me intervistën e Driton Selmanajt:
Sot intervista “Saktë” transmetohet në ora 18:00, në mënyrë që të sjellim para kohe zhvillimet e fundit dhe disponimin e LDK-së për koalicionin eventual.
I ftuar deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj që thotë se ky koalicion i ngjan një “fryti” që dy palët po e vrasin pak para lindjes! Optimizmi i tij është zvëtënuar edhe shkaku i modelit të bashkëqeverisjes VV-LDK në Prizren, e cila sipas tij tregon fytyrën e vërtetë të Vetëvendosjes!
Selmanaj për herë të parë kritikon ashpër dhe hapur Vjosa Osmanin, si dhe thotë se është shembull i gabuar i politikbërjes. Sipas tij, dikush që nuk pajtohet me qëndrimet e partisë dhe ndërton karrierë duke vepruar shpesh në kundërshtim me vendimet partiake, është më e udhës të largohet nga partia.
Selmanaj nuk e përjashton mundësinë që LDK ta formojë qeverinë nëse kandidati i tyre propozohet nga presidenti. /Lajmi.net/