Ziadin Sela dhe kandidatët për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore nga Koalicioni “Tash është Koha”, gjatë ditës së sotme i prijnë karvanit të koalicionit fitues në takimet me qytetarët e Komunës së Zhelinës. Para banorëve të Debërcës, bartësi i listës së kandidatëve për deputetë në zonën e gjashtë zgjedhore, Ziadin Sela elaboroi shqetësimet me të cilat përballen qytetarët shqiptarë në mbarë vendin dhe ofroi zgjidhjen e tyre, duke kërkuar nga qytetarët e kësaj ane që më 15 Korrik të votojnë numrin 5, si të vetmen alternativë që sjell shpresë dhe “shtet për të gjithë”.
“Shqiptarët, sot në shekullin 21, në vitin 2020 kanë mungesë të ujit të pijshëm. Kjo është e rëndë. Është e turpshme që edhe sot pas 30 vitesh pas pavarësisë së Maqedonisë dhe 18 vite nga Marrëveshja e Ohrit, pas gjithë atyre cikleve zgjedhore, ne ende të bëjmë fushata me premtime për ujë të pijshëm. Në këtë gjendje na kanë sjellë këta që sot duan të na lajnë trurin me ëndrra. 18 vjet i kanë pasur të gjitha pushtetet e nuk kanë mundur të sigurojnë ujë për shqiptarin e zakonshëm. Ne do ta bëjmë këtë, por me ndihmën dhe besimin tuaj. Do ta marrim atë që e meritojmë e na takon, prandaj më 15 Korrik ta votojmë ndryshimin, ta rrethojmë numrin 5, koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që shtetin ta bëjmë për të gjithë”, tha mes tjerash Ziadin Sela nga Koalicioni “Tash është Koha”.
Koalicioni ASH – AAA dhe kandidatët e njësisë së gjashtë zgjedhore sot realizojnë takime me banorët e Debërcës, Treboshit, Pallaticës, Zhelinës dhe Strimnicës në Komunën e Zhelinës.