Ziadin Sela: Qeveria mban përgjegjësi për rritjen e të infektuarve – Gjatë orës policore u ndalua lëvizja vetëm e njerëzve të ndershëm, kriminelët lëviznin lirshëm

Ziadin Sela: Qeveria mban përgjegjësi për rritjen e të infektuarve – Gjatë orës policore u ndalua lëvizja vetëm e njerëzve të ndershëm, kriminelët lëviznin lirshëm
Tash esht Koha

Lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, tha se qeveria nuk duhet të shpejtojë dhe me çdo kusht të shkojë në zgjedhje, edhe me çmimin e shëndetit të njerëzve.

“Për rritjen e numrit të rasteve me koronavirus përgjegjësinë e mban qeveria. Ne si ASH jemi e vetmja parti që nuk jemi pjesë e asaj qeverie”, tha Sela në emisionin “Klan Debat” të Seladin Xhezairit.

Sela tha se qëndrimin se kur duhet të ketë zgjedhje e ka thënë në takimin e liderëve te presidenti i shtetit. “U desh të vazhdohet me masat restriktive dhe në fund të korrikut të mbaheshin zgjedhjet. Deri atëherë Maqedonia e Veriut do ta tejkalonte pandeminë”, tha ai.

Tani ai thotë se përpara 26 korrikut asnjë datë nuk do të jetë e pranueshme për mbajtjen e zgjedhjeve duke marrë parasysh trendin e rritjes së numrit të të infektuarve.

“Nuk mund që deri dje t’u themi mos dilni e rrini në shpi, e nesër t’u themi dilni e votojeni Selën. Ne nuk do t’i bojkotojmë zgjedhjet, ne mund që nesër të shkojmë, por në këtë situatë me koronavirusin është e pamundur”, tha Sela.

Ai rikujtoi se mesatarja e të infektuarve kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme ishte 23, kurse tani është 27 në ditë. “Zaev ishte kontradiktor në deklaratën e tij për zgjedhje më 5 korrik. Politikanët nuk duhet t’u diktojmë zgjidhje Komisionit të sëmundjeve infektive. Duhet takime te presidenti dhe të vendosim bashkërisht për datën e zgjedhjeve. Të gjithë thonë shëndeti është mbi të gjitha, e hajde të dëshmojmë këtë. Të gjithë thonë se mund të futemi në totalitarizëm pa Parlament, e hajde ta rregullojmë edhe këtë”, tha Sela.

Ai tha se VMRO-DPMNE është kontradiktore kur është kundër zgjedhjeve të shpejta, por njëkohësisht edhe kundër thirrjes së Parlamentit.

Sipas tij, është e tmerrshme se nga afër 500 teste mbi 20 për qind dalin pozitiv. Gabimi i qeverisë, sipas tij, ishte se me çdo kusht kërkonte zgjedhje dhe pa plotësuar kushtet i lehtësoi masat.

“Gjatë orës policore u ndalua lëvizja vetëm e njerëzve të ndershëm. Kriminelët lëviznin lirshëm. Qytetarët dënoheshin, kurse ka njerëz të paprekshëm që i thyejnë masat”, deklaroi Sela./In7/

Tash esht Koha