Zyrtari i BE: Paketa anti-shpifje rrezikon integrimin e Shqipërisë në BE

Zyrtari i BE: Paketa anti-shpifje rrezikon integrimin e Shqipërisë në BE

Një ditë para se parlamenti të kalojë (të pandryshuar) paketën antishpifje për median online, një mesazh mjaft i fortë ka ardhur nga David Lega, përfaqësues i grupit të djathtë në Parlamentin Evropian dhe raportues për Shqipërinë.

Përmes një statusi në rrjetin social, Lega shkruan:

 “Po përsëris qendrimin tim mbi rrezikun që mbartin ligjet e reja për median në lidhje me çeljen e mundëshme të negociatave me BE. Grupi PPE i Parlamentit Europian beson fort në çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Por Shqipëria duhet të respektojë kriteret e Kopenhagenit që janë një standart  bazik e minimal për një vend kandidat. Nëse qeveria Rama do të miratojë në plenare ligjet në formën aktuale atehere ajo po vë në rrezik serioz shansin për celjen e negociatave të anetarsise në BE.

Qeveria Rama duhet patjetër të përmbushë rekomandimet specifike të dhëna nga Komisioni Europian dhe nga Këshilli i Europës.”

Kujtojmë se ligji për median, i njohur si paketa antishpifje është kritikuar ashpër nga një sërë institucionesh ndërkombëtare si dhe gazetarë në Shqipëri. Më së fundmi Presidenti Meta nuk e dekretoi ligjin, i cili edhe pse erdhi sërish në kuvend, nuk pësoi asnjë lloj ndryshimi./Express